LDK “zvarrit” zgjedhjet e brendshme

Përveç zgjedhjeve nacionale të mbajtura më 8 qershor, LDK në muajt në vijim do t’i futet sërish garës elektorale. Kësaj radhë do ta hapë procesin e brendshëm zgjedhor. Ky proces ishte paralajmëruar të zhvillohej në vjeshtë, për të akumuluar disi pakënaqësitë e shfaqura me rezultatin në zgjedhjet parlamentare, por tash thuhet se ka kohë deri në dimër.    

Lajme

12/08/2014 10:05

Zyrtarët e lartë të kësaj partie, zotohen se këto zgjedhje do të mbahen edhe sikur vendi do të detyrohet të shkojë prapë në zgjedhje.

Pavarësisht rrjedhës së procesit të krijimit të institucioneve të reja qendrore, Kuvendit dhe Qeverisë, Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur t’i hyjë procesit të brendshëm zgjedhor.

Nënkryetarja e kësaj partie, Teuta Sahatçija, ka deklaruar për Tribunën se këto zgjedhje do të mbahen në dimër, sipas afatit të përcaktuar me statutin e partisë.

“Zgjedhjet në LDK, janë proces i rregulluar me statutin e partisë dhe zhvillohen çdo katër vjet. Zgjedhjet e kaluara janë mbajtur në dimër të 2010, pra i bie që zgjedhjet e ardhshme janë të parapara të mbahen sivjet”.

“Strukturat e LDK-së janë struktura të cilat kanë eksperiencë në funksionimin dhe janë të vetëdijshme për afatet dhe janë bukur të përgatitura për këtë. Si parti me demokraci funksionale afati i mbajtjes së zgjedhjeve përcaktohet me vendim të strukturave udhëheqëse dhe atëherë ky proces fillon zyrtarisht”, ka thënë Sahatçija, raporton Tribuna.

Edhe nëse shkohet në zgjedhje tjera të parakohshme, sipas saj, ato nuk do të kishin ndikim në zgjedhjet brendapartiake. Kjo për faktin se zgjedhjet qendrore me ato partiake, sipas saj, nuk kanë interaksion mes vete.