LDK prezanton listën me 39 kandidatë për Asamblenë Komunale në Gjilan

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka prezantuar zyrtarisht listën e LDK-së me 39 kandidatë për Asamblenë Komunale, në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor. Ismajli ka vlerësuar se lista përfaqëson më së miri vlerat e LDK-së, duke theksuar përvojën, integritetin, përkushtimin dhe vizionin…

Lajme

13/08/2025 21:40

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka prezantuar zyrtarisht listën e LDK-së me 39 kandidatë për Asamblenë Komunale, në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Ismajli ka vlerësuar se lista përfaqëson më së miri vlerat e LDK-së, duke theksuar përvojën, integritetin, përkushtimin dhe vizionin e anëtarëve të saj, raporton lajmi.net

“Po ua prezantojmë ekipin tonë të kandidatëve për Asamblenë Komunale të Gjilanit me njerëz të ndershëm, profesionistë të dëshmuar, aktivistë të palodhur dhe zë përfaqësues të qytetarëve. Në të gjeni përfaqësues nga të gjitha lagjet, fshatrat dhe komunitetet e Gjilanit,” tha Ismajli.

Ai shtoi se lista e kandidatëve është një reflektim i besueshmërisë dhe përkushtimit të LDK-së për t’u rikthyer në drejtimin e komunës dhe për të sjellë ndryshimin që, sipas tij, qyteti ka nevojë urgjente.

“Lista jonë është sinonim i njerëzve kredibil të cilët janë me përplot përvojë, integritet, përkushtim dhe vizion. Bashkë me ta, synimi ynë është ta kthejmë besimin në komunë, t’i hapim rrugë rindërtimit të Komunës së Gjilanit dhe të sjellim ndryshimin që qyteti ynë e meriton,” u shpreh ai.

Ismajli përmbylli prezantimin me një thirrje për mobilizim qytetar, duke bërë apel për mbështetje në ditën e zgjedhjeve.

“Më 12 tetor, le ta kthejmë bashkë Gjilanin në rrugën e zhvillimit e të përparimit. Bashkë, për fitore!”./Lajmi.net/