LDK në Suharekë reagon pas ngritjes së aktakuzës për projektin e lapidarëve

LDK në Suharekë ka mirëpritur njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren për ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektet e lapidarëve në Studenqan, Vraniq dhe Dubravë. Sipas kësaj dege, ky hap përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt transparencës dhe vendosjes së përgjegjësisë në menaxhimin e fondeve publike. LDK…

Lajme

13/11/2025 15:12

LDK në Suharekë ka mirëpritur njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren për ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektet e lapidarëve në Studenqan, Vraniq dhe Dubravë.

Sipas kësaj dege, ky hap përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt transparencës dhe vendosjes së përgjegjësisë në menaxhimin e fondeve publike.

LDK rikujton se gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i degës Ardian Shala kishte paralajmëruar haptas për shkeljet e supozuara dhe kishte kërkuar reagim institucional. Sipas subjektit, paralajmërimet e tij u neglizhuan atëherë, çka e bën të domosdoshme vazhdimin e betejës për llogaridhënie.

Në reagim thuhet se LDK Suharekë mbështet plotësisht çdo proces hetimor dhe gjyqësor që synon ndëshkimin e atyre që keqpërdorin detyrën publike apo fondet e qytetarëve. Po ashtu, theksohet se çdo abuzim që prek vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohet me seriozitet të plotë dhe me ndëshkime shembullore.

“LDK Suharekë shprehet e vendosur të vazhdojë të kërkojë transparencë, drejtësi dhe mbrojtje të interesit qytetar, duke e cilësuar këtë aktakuzë si një hap të domosdoshëm për rikthimin e besimit në institucionet publike”, thuhet në reagim.