“LDK në Malishevë më futen thikë pas shpine” – A e konfirmoi Fetah Rudi se e parandaloi koalicionin me Nismën?

Kandidati i LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Fetah Rudi, falënderoi mbi 8 mijë qytetarë për besimin e dhënë, duke e cilësuar mbështetjen e tyre si një përgjegjësi të madhe. Megjithatë, Rudi shprehu zhgënjim që kjo mbështetje nuk mjaftoi për të marrë mandat deputeti, duke theksuar se kandidimi i tij kishte për qëllim parandalimin e…

Lajme

08/01/2026 20:13

Kandidati i LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Fetah Rudi, falënderoi mbi 8 mijë qytetarë për besimin e dhënë, duke e cilësuar mbështetjen e tyre si një përgjegjësi të madhe.

Megjithatë, Rudi shprehu zhgënjim që kjo mbështetje nuk mjaftoi për të marrë mandat deputeti, duke theksuar se kandidimi i tij kishte për qëllim parandalimin e një koalicioni të papranueshëm që mund të dëmtonte LDK-në.

Rudi kritikoi ashpër udhëheqësit e degës së LDK-së në Malishevë, duke i akuzuar për bojkot të kandidaturës së tij, që sipas tij ndikoi negativisht në rezultatin zgjedhor lokal dhe në unitetin e partisë.

Statusi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë, miq dhe mbështetës,

Mbi 8 mijë vota besimi që mora në zgjedhjet e 28 dhjetorit janë një përgjegjësi e madhe dhe një nder që nuk mund të anashkalohet. Secila prej tyre është dëshmi se angazhimi im shumëvjeçar, puna e ndershme dhe qëndrimi konsekuent janë vlerësuar nga qytetarë të shumtë anembanë vendit. Për këtë, ju falënderoj sinqerisht dhe me respekt të thellë.

Megjithatë, mbetet një zhgënjim real dhe i justifikuar fakti që kjo mbështetje e madhe nuk mjaftoi për të qenë pjesë e Kuvendit, sidomos kur kjo garë për mua nuk ishte aspak e lehtë. Kam hyrë në këtë proces me vetëdije të plotë për gjendjen time shëndetësore dhe sakrificat personale që po bëja, por besova se kishte arsye më të mëdha sesa komoditeti im personal.

Në këtë garë nuk hyra për interes personal. Hyra sepse, në një moment të rëndësishëm për LDK-në, pashë një rrezik serioz që i kanosej partisë sonë. Ekzistonte një tendencë reale që LDK-ja të shtyhej drejt një koalicioni të papranueshëm, me figura politike të larta, të cilat bartin një të kaluar të rëndë dhe të kontestuar publikisht; figura të cilat e kishin luftuar LDK-në në të gjitha format në të kaluarën. Një gjë e tillë do ta dëmtonte rëndë identitetin, besueshmërinë dhe vlerat themelore të LDK-së. I jam falënderues kryetarit Lumir Abdixhiku për besimin dhe vlerësimin që tregoi ndaj fjalëve dhe kundërshtimit tim për një koalicion të tillë, në takimin që zhvilluam kokë më kokë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Prania ime në listë kishte për qëllim parandalimin e një të keqeje më të madhe, ruajtjen e dinjitetit politik të LDK-së dhe ofrimin e një alternative të pastër, të ndershme dhe morale për votuesit tanë. Ky ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm.

Zhgënjimi bëhet edhe më i madh kur flasim për Malishevën, vendin tim. Fatkeqësisht, udhëheqësit e degës së LDK-së në Malishevë zgjodhën bojkotimin e plotë të kandidaturës sime, gjë që u reflektua edhe në vota. Në Malishevë më votuan njerëzit që nuk iu nënshtruan atyre që ishin në një koalicion të dëmshëm në nivel lokal dhe që e donin një të tillë edhe në nivel qendror.

Kur flas për udhëheqësit e LDK-së në Malishevë, këtu nuk e përfshij kolegun, mikun dhe gjeneralin, Gëzim Hazrollaj, i cili së fundi na u bashkua në LDK. Unë mbes me shpresë që rruga e gjeneralit nuk mbaron këtu. Mua do të më ketë krah.

Kjo mungesë mbështetjeje nuk ishte e rastësishme dhe nuk i shërbeu as interesit të LDK-së, as unitetit partiak, e as vullnetit të qytetarëve që prisnin angazhim dhe përgjegjësi politike. Kam synuar që me kandidimin dhe angazhimin tim t’i kontribuoj bashkimit dhe unitetit të degës. Por, fatkeqësisht, po shihet se këta njerëz synim e kanë vetëm shkatërrimin e LDK-së e jo fuqizimin e saj. Kjo gjendje në Malishevë dëshmon më së miri edhe pse LDK-ja doli kaq keq në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Njerëzit e këtij lloji nuk e kanë “luftën” me partitë e tjera; këta e kanë “luftën” me njerëzit brenda LDK-së. Kjo nuk ishte hera e parë që njerëzit që janë në krye të degës së LDK-së në Malishevë më futën një thikë pas shpine. Por, siç thotë populli, marrja nuk e ka mbytur askënd.

Megjithatë, dua të shpreh falënderim të veçantë për kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, për korrektësinë, komunikimin dhe mbështetjen institucionale gjatë këtij procesi. Besoj se LDK-ja ka kapacitet për reflektim të thellë, për pastrim të brendshëm dhe për rikthim te vlerat që e kanë bërë atë një parti shtetformuese. Po ashtu, dua të falënderoj të gjithë kolegët deputetë, miqtë dhe dashamirët që më janë gjendur pranë në të gjitha mënyrat dhe më kanë ndihmuar.

Unë do të vazhdoj të jem aktiv dhe i përkushtuar, pavarësisht mungesës së mandatit. Sakrificat e mia, përfshirë edhe ato shëndetësore, kanë pasur gjithmonë një qëllim: të mbroj interesin publik dhe dinjitetin politik.

Faleminderit të gjithë atyre që më besuan.
Ky besim mbetet obligim.

Me respekt, Fetah Rudi