LDK në çdo rast dëshiron rolin kryesor në Qeveri
LDK-ja kërkon që të udhëheq Qeverinë. Isa Mustafa këtë gjë e ka biseduar edhe me Ramush Haradinaj sy më sy. Vjosa Osmani thotë se nuk dëshiron që të mendoj skenarin ku AAK-ja nuk e pranon këtë ridizajnim të marrëveshjes. Thotë se një koalicion me PDK-në do ta dëmtonte shumë LDK-në.

Lajme
“LDK-ja në çdo rast dëshiron ta ketë rolin kryesor në Qeverinë e Bllokut”. Kështu u shpreh anëtarja e kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani në bisedën e zhvilluar në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës.
Osmani tha se Kryesia e partisë së saj është informuar nga vet Isa Mustafa se ai temën e ridizajnimit e ka diskutuar edhe me Ramush Haradinaj, që Mustafa të merr postin e kryeministrit në qeverinë e Bllokut, duke qenë se i takon partisë me fuqinë më të madhe politike.
“Ridizajnimi është diskutuar edhe më herët, me partnerët e koalicionit. Në rrethana të reja, duke qenë se LDK ka fuqinë më të madhe politike, është krejtësisht normale që ne të kemi rolin udhëheqës në qeverinë e ardhshme, por me partnerët e njëjtë. Ky është subjekt i negocimit, dhe negociatat kanë filluar dhe ky diskutim është në nivel të liderëve”.
“Është vlerësuar që në rrethana të reja, është e domosdoshme që LDK të ketë post më të fuqishëm në qeveri. Pra, kryeministrin”.
“Është esenciale që partnerët e kolaicionit dhe të ulen që ta bëjnë marrëveshjen qeverisëse dhe tashmë është kërkesë e LDK-së”.
“Ne jemi informuar nga Mustafa që ai ka biseduar për këtë temë me Haradinajn”.
“Se cili do të jetë epilogu në këtë moment, këtë nuk mund ta paragjykoj, por ia kemi borxh qytetarëve që nuk do të ketë Thaçi 3. Besoj se këtë kauzë ta ketë parasysh edhe AAK-ja”.
Por, e pyetur se nëse AAK-ja nuk do të pranojë që të lëshoj postin e kryeministrit, të cilin me marrëveshjen e parë në mes të bllokut LAN, i ishte dhënë Ramush Haradinajt, Osmani tha se nuk dëshiron që ta mendoj fare këtë skenar.
“Nuk dua ta mendoj këtë skenar. Mund edhe të mos pranohet, por në çdo rast LDK-ja dëshiron ta ketë rolin kryesor në qevrinë e Bllokut”.
Duke folur për vizitën që po zhvillon lideri i LDK-së në Bruksel, ku gjendet edhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, Osmani tha se asnjë takim në mes të Mustafës dhe Thaçit nuk do të ndodhë në Bruksel.
Ajo tha se LDK-ja nuk do të bëjë në asnjë mënyrë koalicion me PDK-në, pasi sipas saj, kjo gjë do ta dëmtonte partinë.
“Do të jetë në Bruksel me ftesë të Partisë Popullore. Ajo që është me rëndësi është që nuk do të ketë takim në mes të Mustafës dhe Thaçit”.
“Nuk ka pasur asnjë kontakt dhe ne nga mediat e kemi marrë vesh që Thaçi do të jetë në Bruksel. Vendimet për takim tek ne i marrin strukturat e partisë”.
“Çdo përfshirje e PDK-së në një koalicion të mundshëm do ta ndërpret për atë që jemi ne, pra ndryshimit të qeverisjes në Kosovë”.
“Nëse dikush e konsideron një koalicion të mundshëm me PDK-në, ata persona nuk shohin përtej hundës së tyre. Koalicioni me PDK-në e dobëson LDK-në. Ky ka qenë premtimi jonë kryesor në fushatë sepse qytetarët kanë kërkuar që të mos e bëjmë gabimin e njëjtë sikurse e kemi bërë në vitin 2007”, tha Osmani për Klan Kosova.