LDK ndahet, nëse nuk largohet Isa
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar sot se predikimet për mundësinë e ndarjes së kësaj partie nuk do të ndodhin. Por, sipas burimeve të lajmi.net, Mustafa nuk po mundet të shuajë zërat e shumtë brenda partisë dhe zhgënjimin në lidershipin e LDK-së as pas marrëveshjes së opozitës. Sipas këtij burimi, vetëm dorëheqja e Mustafës do ta shpëtojë LDK-në nga përçarja e radhës.
Lajme
Burime të lajmi.net, brenda kësaj partie, tregojnë se situata në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka ndryshuar, pavarësisht marrëveshjes së opozitës për të propozuar për kryeministër liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe përpjekjeve për ta dërguar në opozitë Partinë Demokratike të Kosovës dhe liderin e saj, Hashim Thaçi.
“Në LDK nuk janë të kënaqur me lidershipin dhe ka shumë zëra se Isa Mustafa dhe fraksioni i tij brenda kësaj partie, si Sabri Hamiti, Eqrem Kryeziu, Agim Veliu e të tjerë, duhet të japin përgjegjësi për dështimin në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit”, ka thënë një nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së me kusht anonimiteti.
“Mustafa është përpjekur të kalojë në heshtje humbjen më 8 qershor, pakënaqësinë e shumë strukturave të LDK-së me listën e kandidatëve për deputetë dhe është gëzuar fort për marrëveshjen e opozitës duke menduar se kështu do t’u ikë përgjegjësive që ka pasur si lider i partisë për të reformuar LDK-në, për të nxjerrë kandidatë të denjë në listë, e jo të atillë që e përqeshin partinë, që nuk i bëjnë nder partisë dhe çfarë është më e rëndësishmja nuk i sollën fitoren partisë”, ka thënë për lajmi.net ky burim.
Ky anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i afërt me kampin kundërshtar të Mustafës, ka komentuar edhe deklaratën e sotme të liderit të LDK-së të dhënë përmes profilit të tij në Facebook, duke thënë se është përpjekje për të shuar zërat dhe pakënaqësitë që kanë ardhur nga një pjesë e elektoratit dhe disa degëve të LDK-së nëpër Kosovë.
“Si LDK kemi pasur mundësi të bëjmë koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re, me Partinë e Drejtësisë dhe me disa parti tjera të vogla, të dalin ne të parët me 8 qershor, por injorimi i disa kërkesave të tyre krejt legjitime dhe hamendja se mund të fitojë i vetëm PDK-në, ka bërë që të dalim humbës në zgjedhjet e 8 qershorit, pavarësisht kësaj marrëveshje të arritur mes opozitës, e cila tash për fajin e Kushtetutës nuk e dimë se ku do të na çojë”.
Burimi i lajmi.net ka thënë se duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në LDK, para dhe pas 8 qershorit, dorëzimi i postit të kryeministrit, në rast se Kushtetuta e lejon të kalojë marrëveshjen e opozitës, pastaj edhe preferencat e disa grupeve brenda partisë për koalicion me PDK-në, është vështirë se mund të tejkalohen pa përcarjen e partisë ose largimin/dorëheqjen e Mustafës nga pozita e liderit.
Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e Mustafës që ka edituar në profilin e tij në Facebook:
“Qytetarë të nderuar,
Në aktivitetin parazgjedhor kam kontaktuar me shumë subjekte politike. Disa herë jam takuar me kreun e Partisë së Drejtësisë, të Lëvizjes për Bashkim, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Nismës, të Partisë Shqiptare Demokristiane dhe me kreun e Aleancës, Kosova e Re”.
“Sa i përket AKR-së dhe z. Pacolli, ai në takimet e fundit ka qenë shumë i qartë se nuk do të hyj në koalicion me PDK-në. Ky qëndrim I tij nuk ka rrjedhë si pasojë e insistimit tim apo presionit, por si bindje dhe vendim i tij se mund t\’ia dal dhe ta kaloj pragun”.
“Kam qenë i bindur se do të fitojmë dhe i kam premtuar se ai do të jetë pjesë e qeverisë në të ardhmen. Rezultatet tregojnë se PDK me koalicionin me partitë e tjera doli e para me votë klienteliste, gjë që më së miri e argumenton kapjen e shtetit”.
“Unë e vlerësoj qëndrimin qe e ka mbajtur z. Pacolli në procesin parazgjedhor , dhe jam i bindur se LDK është shumë unike dhe shumë e fortë, prandaj as predikimet për ndarje të LDK-së, thënë nga emocionet, nuk do të ndodhin. Do të ndodhë demokracia, e cila na nevojitet para së gjithash”.
Lidhja Demokratike e Kosovës u nda ‘me karrige’ pas vdekjes së themeluesit dhe liderit të saj historik, Ibrahim Rugova, në vitin 2006. Lufta për të marrë pozitën e liderit mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, bëri që kuvendi i saj të eskalojë, deri në rrahje midis anëtarësh, dhe më pas shkëputjes së Dacit dhe grupit të tij, që formuan Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Deri tek një situatë e ngjashme erdhi edhe gjatë përballjes së Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës për të udhëhequr partinë. Në këtë kuvend nuk pat rrahje me karrige, por pakënaqësitë mes dy grupeve vazhdojnë edhe sot. Sejdiu si një nga figurat kryesore të partisë nuk u fut në listën e kandidatëve për deputetë, ndërkohë që akuzat mes tij dhe Mustafës se si erdhi deri tek kjo situatë nuk kanë marrë fund.
Po ashtu, familja e presidentit, djali Ukë Rugova dhe kushëriri i tij, Naser Rugova, kanë shprehur në vazhdimësi pakënaqësi me lidershipin e LDK-së që kur ajo drejtohet nga Isa Mustafa, i cili përveç se humbi bastionin kryesor të kësaj partie, Prishtinën, shënoi edhe një humbje tjetër më 8 qershor.