LDK me “mozaik argumentesh” kundër VV-së, Lushaku-Sadriu: Polarizim, shkelje kushtetuese dhe fyerje

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka sqaruar qëndrimin e partisë së saj lidhur me propozimin për krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, duke theksuar pamundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të dëmeve që, sipas saj, kjo parti i ka shkaktuar vendit gjatë qeverisjes katërvjeçare. Lushaku-Sadriu deklaroi se qëndrimi…

Lajme

06/05/2025 21:44

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka sqaruar qëndrimin e partisë së saj lidhur me propozimin për krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, duke theksuar pamundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të dëmeve që, sipas saj, kjo parti i ka shkaktuar vendit gjatë qeverisjes katërvjeçare.

Lushaku-Sadriu deklaroi se qëndrimi i LDK-së për të mos bashkëpunuar me VV-në është konsistent dhe i mbështetur në argumente konkrete.

“Në këtë përgjigje e kemi ritheksuar edhe një herë qëndrimin tonë, konsistent për bashkëpunimin tonë me VV-në, si një qëndrim që reflekton pamundësi të bazuar mbi disa argumente. Dhe këto argumente i kemi vënë që në paragrafin e dytë, duke e kujtuar; që bashkëpunimi i jonë është i pamundur me VV-në për shkak të dëmit që i ka shkaktuar (Kosovës) qeverisja katër vjeçare”, ka thënë Lushaku-Sadriu në RTV Dukagjini.

Ajo përmendi si arsye kryesore diskursin polarizues të Vetëvendosjes.

Sipas saj, qeverisja e VV-së ka cenuar edhe kushtetutshmërinë e vendit përmes mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ka sulmuar lirinë e fjalës përmes presionit mbi mediat.

“Për shkak të diskursit polarizues që ka bërë kjo parti gjatë gjithë kohës. Dhe na kë vënë siklet të gjitha partive dhe na ka cenuar gjithë funksionimin ndërpartiak në Kosovë. I ka ndare, e ka polarizuar thellësisht shoqërinë tonë. Duke linçuar, sharë e fyer. Dhe këto nuk kanë të bëjnë me demokracinë. E ka cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës, duke shkelur mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që është një institucion i pavarur. Duke i atakuar media dhe duke i cenuar edhe lirinë e fjalës”.