LDK: Keqmenaxhimi i MPJD-së ka çuar në humbjen e dokumenteve të mërgimtarëve

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka ndërprerë kontratën me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike. Për këtë rast ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK ka akuzuar pushtetin “për paaftësi të thellë dhe dështime të njëpasnjëshme”. Sipas LDK-së, pushteti përveçse nuk i ka sjellë Kosovës asnjë njohje të re…

Lajme

25/10/2024 22:58

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se ka ndërprerë kontratën me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike. Për këtë rast ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK ka akuzuar pushtetin “për paaftësi të thellë dhe dështime të njëpasnjëshme”.

Sipas LDK-së, pushteti përveçse nuk i ka sjellë Kosovës asnjë njohje të re apo anëtarësim ndërkombëtar, nuk arrin të menaxhojë asnjë proces kaq të thjeshtë siç është posta diplomatike.

“Keqmenaxhimi dhe mungesa e kompetencës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas raportimeve të mediave ka çuar në humbjen e 400 pasaportave të mërgimtarëve, mbi 160 letërnjoftimeve dhe vendimeve për shtetësinë.

Me taksat e qytetarëve, MPJD paguan çmime të larta për dërgesat diplomatike, gjashtë herë mbi çmimin e tregut, por përsëri dështon, ashtu si në çdo proces tjetër. Kjo Ministri e cila i ka lënë fajin operatorit ekonomik për këtë skandal, ka për obligim që të sqarohet për këtë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.