“LDK-ja në krizë”, konsiderohet e nevojshme rikonfirmimi i lidershipit aktual

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në një pozicion të vështirë dhe në prag të përçarjes, thonë analistët politikë, pas shpërfaqjes në publik të pakënaqësive të figurave kyçe të LDK-së në lidhje me dyshimet për manipulim të votave me postë. Të njëjtët deklarojnë se LDK-ja tani është e ndarë në grupacione dhe se nevojitet një…

Lajme

01/04/2025 16:41

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në një pozicion të vështirë dhe në prag të përçarjes, thonë analistët politikë, pas shpërfaqjes në publik të pakënaqësive të figurave kyçe të LDK-së në lidhje me dyshimet për manipulim të votave me postë.

Të njëjtët deklarojnë se LDK-ja tani është e ndarë në grupacione dhe se nevojitet një rikonfirmim për lidershipin aktual të partisë.

Pas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili kërkoi udhëheqje të re në LDK, së fundmi dolën në pah disa biseda të brendshme të anëtarëve të Kryesisë së LDK-së, ku paraqitet ankesa për manipulime të votave me postë gjatë procesit zgjedhor të 9 shkurtit. Madje, ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në bazë të bisedave të brendshme të LDK-së të publikuara në media e kishte quajtur “skemë kriminale” votat me postë të LDK-së.

Megjithatë, analistja politike, Magbule Shkodra, thotë se për këto dyshime nëse ka fakte duhet të dorëzohet në organet kompetente nga Gashi dhe të tjerët në LDK të cilët kanë aludime të tilla.

Mirëpo, ajo thekson se nga këto pakënaqësi më së shumti do të dëmtohet LDK-ja si në pozicionin e saj të negocimit për formimin e qeverisë së re dhe po ashtu edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Si pasojë e kësaj, Shkodra e sheh të mundshme edhe përçarjen brenda partisë, andaj e sheh të nevojshme edhe rikonfirmimin e lidershipit aktual të partisë.

“Nëse ata kanë fakte patjetër duhet t’i dorëzojnë në organet kompetente, pasi nëse janë në dijeni për një krim dhe nuk e denoncojnë dhe ata e kanë një përgjegjësi. Unë i ftoj që nëse kanë fakte t’i dorëzojnë ato, por nëse nuk kanë fakte gjyqësori punon në bazë të fakteve dhe jo dyshimeve… Në aspektin politik, LDK e vendosë në një pozicion jo shumë të fortë sa i përket negocimit që vjen për qeverinë dhe më vonë i kemi edhe zgjedhjet lokale. Kjo në këtë moment e ka dëmtuar LDK-në….(Përçarje brenda partisë) Mund të prodhojë por kur bëhet një debat i tillë do të thotë se është diskutuar edhe në kryesi por s’kanë qenë të kënaqur me përfundimet dhe konkluzionet që janë nxjerrë…zotëri Abdixhiku më mirë është të kërkojë besimin e Këshillit të Përgjithshëm për të ecur më tutje LDK-ja. Në këtë mënyrë nëse vazhdohet dhe dikush prej anash kërkon dorëheqjen tënde dhe t’i vazhdosh t’i injorosh edhe pozicioni yt si lider nuk është i fortë për të vazhduar me partinë”, thekson Shkodra.

Në anën tjetër, politologu, Albinot Maloku, thotë se shpërfaqja e pakënaqësive të brendshme në LDK tregon se partia është e ndarë në dy grupacione. Sipas tij, njëra palë po dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme dhe tjetra që nuk dëshiron të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm as me LVV-në dhe as me opozitarët.

Sipas tij, dyshimet për manipulim të votave me postë të LDK-së përveç pasojave penale do të ketë edhe politike e moral brenda strukturave të LDK-së.

“Problemi tani nuk është çka thonë të tjerët por çka thonë në LDK. Problemi tani që ka dal është se LDK-ja po e zbulon dhe njerëzit brenda saj. Arsyetimet e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku se kundërshtarët po e bëjnë këtë, unë nuk i mora seriozisht, pasi do të ishte më e drejt si një lider i një partie dhe të shpjegonte të gjitha problemet që janë të dukshme dhe dëgjueshme që thuhen nga brenda…LDK-ja sot është në grupacione dhe kam përshtypjen se është thelbi i interesit se cili prej këtyre grupacioneve dëshiron të jetë pjesë e qeverisë dhe cili nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë. Por thellësisht vetëm LDK brenda LDK-së nuk kam pa…Pasoja politike dhe morale gjithsesi që do të ketë për LDK-në. LDK-ja ka pasur të nevojshme që të tregohet demokratike dhe drejtë, respektuese ndaj procesit zgjedhor dhe votave të qytetarëve. Kjo është pasoja më e madhe që mund t’i ndodh një subjekti politik, përjashto pjesët ligjore dhe pasojat tjera”, thekson Maloku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, publikimin e bisedave të brendshme të anëtarëve të kryesisë së partisë i ka cilësuar si sulme të sinkronizuara ndaj LDK-së, të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve, të cilat, sipas tij, nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme.

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim të votave me postë nga diaspora.

Madje të njëjtit kanë dorëzuar ankesë në PZAP dhe Gjykatë Supreme, duke kërkuar anulimin e votave të LDK-së dhe rivotim, mirëpo dy institucionet i rrëzuan poshtë ankesat e tyre.