LDK-ja fillon që t’i bindet Kushtetueses, Mustafa e do “postin” e Haradinajt në LAN

Konsultat brendapërbrenda partive, si dhe ato në mes të partive që përbëjnë koalicionin paszgjedhor, pritet të sjellin gjatë kësaj jave ridizajnimin e marrëveshjes fillestare për ndarjen e posteve ose fundin e bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma

Lajme

03/11/2014 09:14

Këshilltari i të parit të AAK-së, Avni Arifi insiston se pavarësisht zërave të caktuar, në kanale zyrtare mes partive që nga qershori nuk ka pasur krizë stabiliteti në koalicion dhe as që është kërkuar ndryshimi i marrëveshjes, sipas së cilës Ramush Haradinajt i takon posti i kryeministrit, kurse Isa Mustafës posti i kryetarit të Kuvendit.

“Pavarësisht zërave të caktuar, nga ndonjë rrugë zyrtare e partive me kompetencë të plotë mund të them se që nga qershorit kurrë nuk ka pasur krizë stabiliteti në koalicion”.

“Po ashtu ka mobilizim dhe keqpërdorim të diplomacisë së Kosovës duke vënë atë në shërbim të interesave të PDK-së e në dëm të koalicionit dhe Kosovës. Ka shantazh publik se edhe nëse votohet kryetari i PDK-së nuk do të thërrasin seancën se s’ka qeveri pa PDK-në”, ka thënë ai për Koha Ditore.

Por pas thellimit të krizës janë shtuar zërat brenda LDK-së që kërkojnë ndryshim të marrëveshjes, në mënyrë që t’i lejohet PDK-së ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, ashtu sikurse edhe thuhet në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Siç mëson gazeta, përbrenda LDK-së ka gjasa që gjatë javës të iniciohet një kërkesë zyrtare në Kryesinë e LDK-së, për ridizajniin e marrëveshjes, ku Isa Mustafa do të kërkohet të nominohet për kryeministër.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili i pari ka dalë hapur me qëndrimin e tij, se Mustafa duhet të bëhet kryeministër, ka thënë për Koha Ditore se në diskutime joformale brenda LDK-së, përkrahet ideja për ridizajnnimin e marrëveshjes, por se qëndrimet zyrtare nuk kanë ndryshuar ende.

Brenda LDK-së ka edhe disa figura të tjera që kanë po të njëjtin qëndrim si Gashi.

Muharrem Sfarça, Imri Ahmeti, deri më tani publikisht kanë kërkuar që Ramush Haradinaj t’ia lëshoi postin e kryeministrit Isa Mustafës.

Po ashtu të dielën, njëri prej nënkryetarëve të LDK-së, Haki Rugova, ka konfirmuar për RTK-në, se brenda dy ditësh, organet më të larta vendimmarrëse të partisë do të mblidhen për të vendosur për marrëveshjen e LAN-it.

Por, edhe vet lideri i kësaj partie, Isa Mustafa ka njoftuar se tashmë Blloku është në fazën e fundit për të gjetur zgjidhje për krijimin e institucioneve.