LDK insiston postin e presidentit, mohohet ndarja e ministrive

16:50 | 6 Dhjetor 2019

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk heq dorë nga pozita e presidentit në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundër presionit publik dhe mundësisë që kjo pozitë të bëhet shkaktar për dështim të koalicionit, posti i të parit të shtetit konsiderohet balancim i pushtetit mes dy partive.

Por pavarësisht kësaj, zyrtari i LDK-së shprehet optimist se do gjinden modalitete dhe marrëveshja me VV-në do të ndodhë.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti në një intervistë për KosovaPress, thotë se janë në pritje të ftesës së VV-së për takimin e ardhshëm, teksa i mohon në mënyrë kategorike se janë ndarë ministritë mes tyre dhe Vetëvendosjes.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së po ashtu i bën thirrje Vetëvendosjes se nëse posti i kryeparlamentarit, presidentit dhe gjysmës së qeverisë peshon më shumë, mund të i ndërrojnë pozitat dhe partia e tyre të merr kryeministrin dhe gjysmën e qeverisë.

“Kryeministri i vendit ka fuqinë më të madhe ekzekutive në vend. Të gjitha politikat në vend zbatohen përmes Qeverisë dhe janë institucionet tjera që janë parlamenti dhe kryetari i Kuvendit.

Këto dyja duhet t’i balancojmë. Është Presidenca, është Kuvendi është Qeveria. Qeveria është me e fuqishme me kompetencat më të mëdha. Se si duhet të balancohet tash këto ka qasje të ndryshme. Njëra që e kemi ofruar ne është kryeministri bashkë me gjysmën e qeverisë dhe në anën tjetër është Presidenti me kryetarin e Kuvendit dhe gjysmën e qeverisë. Nëse kjo pjesë peshon më shumë ne jemi të gatshëm të konsiderojmë edhe atë. Le të del në anën tjetër Vetëvendosje dhe ne kalojmë ka kryeministri. Një marrëveshje e tillë siguron respektim të plotë të fuqisë politike brenda koalicionit”, thotë Hoti.

Edhe pse sot u raportua se ministritë mes VV-së dhe LDK-së janë ndarë, Hoti thotë se ende nuk janë përmbyllur çështjet e ndarjes së përgjegjësive. Teksa thekson se nëse nuk ka pajtim të plotë, nuk ka pajtim për asgjë.

“Nuk jemi dakorduar ende, nëse nuk mbërrihet dakordimi i plotë nuk ka dakordim për asgjë. Jemi dakordu edhe për programin qeverisës për pjesën programore. Por ato nuk janë të vlefshme nëse ne nuk e mbyllim komplet marrëveshjen…jo nuk janë përmbyllur çështjet e ndarjes së përgjegjësive”, shprehet Hoti.

Megjithëse ka mospajtime për këto çështje, Hoti thotë se nuk ka asnjë arsye që koalicioni mos të ndodhë përderisa ka korrektësi.

“Koalicioni do të ndodhë nuk ka arsye pse mos të ndodhë. Nga ana jonë nuk do të asnjë arsye pse mos të ndodhë. Nga ana jonë nuk do të japim asnjë arsye që ky mos të ndodhë. Por përgjegjësia për krijimin e shumicës  parlamentare i bie partisë që ka dal e para në zgjedhjeve, jo neve. Unë besoj që kemi qenë mjaft korrekt dhe do të vazhdojmë të jemi korrekt karshi subjektit që ka dal e para. Duke mos e kushtëzuar  me asnjë gjë, por duke tentuar të dakordohemi…takimi i ardhshëm ende nuk është caktu besoj se në ditët e ardhshme do të caktohet një takim i tillë sepse ka vullnet nga ana jonë për arritjen e marrëveshje”, thotë ai.

E hëna e kësaj jave ka qenë takimi i fundit mes dy liderëve Kurti-Mustafa, ku u shpërfaqën disa dallime kryesisht në ndarjen e ministrive dhe çështjen e presidentit.