LDK humb edhe ndërmarrjet publike në Prishtinë
Komuna e Prishtinës ka caktuar sot anëtarët në komisionet komunale të aksionarëve në ndërmarrjet publike. LDK dhe AKR braktisën sallën në shenjë pakënaqësie në kohën kur Kuvendi Komunal po zgjidhte dy prej tre anëtarëve të këtij bordi.
Lajme
Pika për caktimin e anëtarëve në komisionin komunal të aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale ka ngjallur debat në mes të LDK`së dhe Vetëvendosjes në mbledhjen e sotme të Kuvendit komunal të Prishtinës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka caktuar sot emrat e 7 anëtarëve në këtë komision, nga një për secilin kompani publike, ndërsa diskutimi për dy anëtarët tjerë të cilët zgjidhen nga Kuvendi komunal, ka qenë pika që ka ngritur pluhur në mes të dy partive më të mëdha.
Ahmeti pohoi se Shefi i GP të LDK`së Sami Hamiti nuk ka qenë i interesuar që të diskutojë për këtë çështje, kur kishte biseduar me Grupet Parlamentare.
“Kur i kam mbledhur Grupet parlamentare u kam thënë a ka ndonjë marrëveshje në mes të grupeve që të ndahen proporcionalisht sipas fuqisë që kemi në Kuvend. Kryesuesi Sami Hamiti ka thënë, unë i kam krejt dhe nuk kam çfarë të diskutojmë, unë e kam shumicën në Kuvend, asnjë vend nuk do t`ju jap juve dhe vazhdojmë në Kuvendin Komunal”.
Në anën tjetër Sami Hamiti ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet për seancën e radhës në të kundërtën do ta braktisin mbledhjen.
“Unë konsideroj që ka nevojë ende të bisedohet për këtë, sepse ka një ndarje të thellë. Ka nevojë që të ulemi dhe të bisedojmë edhe për këto. Grupi Parlamentar i LDK`së propozon që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për seancën e ardhshme, nëse nuk shtyhet kjo pikë e rendit të ditës ne do ta lëshojmë sallën”.
Në fund pa përfaqësuesit e LDK`së dhe AKR’së, të cilët e braktisën sallën në shenjë pakënaqësie me 26 vota “për” asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal ka zgjedhur edhe dy anëtarët tjerë në komisionin komunal për ndërmarrjet publike, lokale.
Emrat e anëtarëve në komisionin komunal të aksionarëve në ndërmarrjet publike lokale janë:
Për ngrohtoren e qytetit “Termokos”- shoqëria aksionare, Visar Berisha, Hatixhe Latifi dhe Shaip Shabani.
Për ndërmarrjen publike banesore – Xhelal Sfeçla, Qëndron Kastrati dhe Muhamet Selmani.
Për kompaninë regjionale të pastrimit dhe mbeturinave – Ardian Gashi, Genc Sherifi dhe Fadil Gashi.
Për ndërmarrjen publike “Hortikultura”- Hysen Durmishi, Sadri Ramabaja dhe Mirjeta Rexhepi.
Për ndërmarrjen publike komunale “Trafiku Urban”- Dardan Sejdiu, Fisnik Ismajli dhe Ymer Rusinovci.
Për ndërmarrjen publike sport, marketing, Liburn Aliu, Brahim Mehmeti dhe Laura Zherka.
Për stacionin e Autobusëve Muhedin Nushi, Fetih Mehdiu dhe Lirie Avdiu.