Lapsi.al: Isa Mustafa tradhton Bllokun dhe bëhet kryeministër

Burime diplomatike në Prishtinë bëjnë me dije se kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka tradhtuar partnerët e tij të Bllokut dhe pritet t’i thotë po një koalicioni të madh me PDK-në e Hashim Thaçit.

Lajme

03/11/2014 20:48

Burime ekskluzive të Lapsi.al, që udhëhiqet nga gazetari i njohur Armand Shkullaku, theksojnë se trysnia e ushtruar nga Ambasada amerikane dhe nga ajo gjermane duket se kanë arritur në përfundimin se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte përsëritje e bashkëqeverisjes së dy të mëdhenjve, që e kanë drejtuar Kosovën në kohë krizash, si në vitin 2001 ashtu dhe në vitin 2007.

Nga të njëjtat burime mësohet se Mustafa është joshur drejt tradhtisë së partnerëve të tij vetëm pasi LDK-së i është propozuar posti i kryeministrit në qeverinë e re.

Me këtë lëvizje diplomatët perëndimorë duket se kanë realizuar disa qëllime njëherësh. Së pari, ata shmangin nga qeverisja një forcë që iu sjell kokëçarje si Vetëvendosje. Së dyti, ata shmangin Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn me plot dritëhije me drejtësinë. Dhe, së treti, i japin Kosovës një qeverise të qëndrueshme dhe të kontrollueshme lehtë.

Nga ana e tij, Hashim Thaçi i vënë nën presionin e furisë së krijuar: “Të gjithë kundër Thaçit”, mësohet se e ka pranuar këtë kompromis sepse ai krijon mundësinë e një shumice të gjerë, që në të ardhmen mund ta ndihmonte atë nëse synon postin e presidentit të Kosovës.