Lansohet udhëzuesi për matjen e dënimit, konsiderohet hap i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë penale
Gjykata Supreme ka lansuar udhëzuesin për matjen e dënimit, i cili u konsiderua si hap i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë penale. Ky dokument u tha se do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Në lansimin e këtij udhëzuesi mori pjesë edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier,…
Lajme
Gjykata Supreme ka lansuar udhëzuesin për matjen e dënimit, i cili u konsiderua si hap i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë penale.
Ky dokument u tha se do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Në lansimin e këtij udhëzuesi mori pjesë edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili deklaroi se raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se “sistemi i drejtësisë shpesh shqipton dënime të buta”.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se ky udhëzues shënon moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.
“Me lansimin e këtij udhëzuesi të Gjykatës Supreme shënojmë një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Ky dokument është rezultat i një pune të gjatë, reflekton edhe angazhimin tonë për të siguruar një drejtësi të konsoliduar dhe një praktikë unifikuese në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Udhëzuesi i përgjithshëm i politikës ndëshkimore i miratuar në vitin 2018 ka shërbyer si një pikë reference për gjyqtarët për trajtimin e rasteve penale. Megjithatë, zhvillimet e reja ligjore në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe problemet me zbatimin e ligjit në praktikë kanë nevojë për rishikimin dhe përmirësimin e tij me qëllim që të adresohen ndryshimet e bëra dhe harmonizimin në praktika brenda sistemit gjyqësor”, deklaroi ai.
Kreu i Supremes theksoi se udhëzuesi i ri ofron sqarime specifike për secilin kapitull të Kodit Penal. Në hartimin e tij, Fejzullahu tha se kontributi i Ambasadës Amerikane ka qenë thelbësor edhe në hartimin e udhëzuesit të përgjithshëm për matjen e dënimit.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier teksa foli për rëndësinë e këtij udhëzuesi, theksoi se raportet ndërkombëtare e vendore tregojnë se në Kosovë po shqiptohen dëbime më të buta.
“Dënimi është ndër fazat më të rëndësishme të drejtësisë penale dhe udhëzuesi i përgjithshëm do të ofrojë një kornizë të qartë për shqiptimin e dënimeve për shkeljet penale në Kosovë. Siç e dëgjuam, para gjashtë viteve Kosova ka miratuar udhëzuesin e parë për matjen e dënimeve dhe zyrtarët e sistemit të drejtësisë së Kosovës vazhdojnë që të jenë shembull për vendet e rajonit duke integruar një udhëzues i cili është i bazuar në qasje të bazuar në udhëzues në kornizën e punës së drejtësisë së tyre penale…Raportet ndërkombëtare dhe vendore tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende shumë shpesh shqipton dënime të buta dhe jo proporcionale, duke theksuar nevojën urgjente që ky udhëzues të zbatohet plotësisht. Drejtësia është e drejtë vetëm kur është e drejtë”, u shpreh Hovenier.
E kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj tha se udhëzuesi është një sistem rregullash i domosdoshëm për interpretimin unik të ligjit në Kosovë.
“Edhe raportet ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë, me theks të veçantë raporti i Komisionit Evropian për progresin në Republikën e Kosovës vë theksin tek nevoja e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe tek roli kyç që ka Gjykata Supreme në përpjekjen dhe unifikimin e praktikës gjyqësore dhe zbatimit unik të ligjit. Është krejtësisht e domosdoshme dhe sigurisht KGjK e mbështet nevojën që drejtësia të jetë e parashikueshme, ku të gjithë zbatojnë rregullat unike të interpretimit, vlerësimit, fakteve dhe njëkohësisht aplikimit të ligjeve për të ruajtur balancin e vlerave shoqërore…Kemi arritur në standardin apo nivelin kur në fakt ky sistem rregullash duhet të shndërrohet në sistem të vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve por edhe njëkohësisht edhe të sistemit të performancës së gjykatave në vend, theksoi Zogaj.
Në lansimin e udhëzuesit të përgjithshëm për matjen e dënimit, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi theksoi se
“Miratimi i udhëzuesit për matjen e dënimit është një nga hapat më të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe mund të bëjë një hap shumë të madh për harmonizimin e praktikave për matjen e dënimit. Në vitin e parë kur i miratua udhëzuesi për matjen e dënimit shumë nga ne ishim skeptik për fatin e këtij udhëzuesi. Është pikërisht ai udhëzues që ka ndryshuar thelbësisht perspektiven e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial për matjen e dënimeve. Në vitin e parë, për prokurorët matja e dënimit është konsideruar detyrë dhe obligim ekskluziv i gjyqësorit, tani edhe për ne është e qartë se udhëzuesi i kësaj natyre është një burim me vlerë të jashtëzakonshme edhe për punën e prokurorëve”, përfundoi ai.
Udhëzuesi i politikës ndëshkimore ka për qëllim të mbështesë gjykatat në krijimin e vendimeve që mbështeten në parimet themelore të shtetit të së drejtës. Po ashtu, rëndësia e këtij udhëzuesi është thelbësore për rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë penale.