​Lansohet skema e granteve për inovacion në vlerë 1.9 milionë euro

Në vlerë prej 1.9 milion euro Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka lansuar skemën e granteve për inovacion, që ka për qëllim mbështetjen e bizneseve startup dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me koncepte inovative. Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari ka theksuar se përmes kësaj skeme, synojnë të inkuranojnë sektorin privat me…

Lajme

07/10/2024 16:48

Në vlerë prej 1.9 milion euro Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka lansuar skemën e granteve për inovacion, që ka për qëllim mbështetjen e bizneseve startup dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me koncepte inovative.

Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari ka theksuar se përmes kësaj skeme, synojnë të inkuranojnë sektorin privat me ide dhe projekte inovative që do të ndikojnë direkt në zhvillimin social, mjedisor dhe ekonomik në Kosovë.

“Jemi këtu sot për të lansuar skemën e mbështetjes financiare në vlerë prej 1.9 milion euro për inovacion. Kjo skemë do të përkrah ndërmarrjet e fillestare, të vogla dhe të mesme dhe sipërmarrësit tanë aspirant, projektet e të cilëve synojnë të zhvillojnë ide inovative për produktet, shërbimet, dhe procese të reja përfshirë përmirësimin e metodave të prodhimit drejt transformimit të biznesit ose ndërmarrjes dhe krijimin e një ekonomie konkurruese”, tha Hajdari.

Ndërsa, Hajdari ka dhënë më shumë detaje sa i përket skemës, tha se do të jetë e hapur deri me 25 tetor të këtij viti, duke shtuar se aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova.

“Nga kjo skemë për llotin një kemi ndarë 800 mijë euro maksimum deri në 50 për qind të projektit inovativ në vlerë maksimale deri në 40 mijë euro, ndërkaq në llotin dy janë të ndara 1.1 milion euro, maksimum deri në 80 për qind të projektit inovativ në vlerë maksimale deri në 15 mijë euro. Skema do të jetë e hapur 15 ditë kalendarike, pra deri me 25 tetor, 2024. Aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova…Përmes kësaj skeme, synojmë të inkurajojmë sektorin privat me ide dhe projekte inovative që do të ndikojnë direkt në zhvillimin social, mjedisor dhe ekonomik në Kosovë. Njëherësh me këtë skemë synojmë të krijojmë vende të reja të punës, të rrisim eksportin duke fuqizuar peoduktë inovative të rrisim investimet përmes produkteve të reja me metodave inovative të prodhimit në sektorë të rëndësishëm ekonomik”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, shefi i misionit të Luksemburgut në Kosovë, përfaqësues së Qeverisë së Dukës së Madh të Luksemburgut, Eric Dietz u shpreh se Luksemburgu po mbështet qeverinë për të zhvilluar më tej politikat dhe kuadrin ligjor për inovacionin e biznesit dhe sipërmarrjen.

“Sektori privat është shtytësi kryesor në avancimin e punës ekonomike dhe sociale. Kosova ka shumë pika të forta, kompani dinamike dhe elastike, si dhe një popullatë të re dhe aktive me një frymë të fortë ndërmarrësie, gatishmëri për të ndarë përvojën dhe ekspertizën me bizneset fillestare. Luksemburgu po mbështet qeverinë për të zhvilluar më tej politikat dhe kuadrin ligjor për inovacionin e biznesit dhe sipërmarrjen. Së bashku po forcojmë akademinë e inovacionit të Kosovës dhe kërkojmë ekosistemin, përmes fondit të inovacionit që inkurajon partneritetin ndërmjet palëve të interesuara publike dhe private”, tha ai.

Kjo skemë e mbështetjes financiare është bashkëfinancim në mes të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe Agjencisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Qeverisë së Luksemburgut (Lux-Dev).