Lajmi.net merr konfirmim nga kancelaria e Gjermanisë për takimin e fshehtë në Berlin

Pas raportimit ekskluziv të lajmi.net për takimin e fshehtë mes Kosovës dhe Serbisë në Berlin, Gjermania e ka konfirmuar se ka ndodhë një takim i tillë.

Lajme

21/06/2019 14:35

Zyra për informim e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka konfirmuar për lajmi.net se takimi i fshehtë i mbajtur në Berlin ka ndodhur, por nuk kanë dhënë detaje mbi temat e trajtuara apo ecurinë e mbledhjes.

“Si parim, ne nuk japim asnjë informacion mbi takimet e mbajtura në nivel pune”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga një zëdhënësi i kancelarisë, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Në anën tjetër, takimi është konfirmuar edhe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se pala serbe në Berlin u përfaqësua nga shefi i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ndërsa takimi ishte takim përgatitor për Samitin e Parisit.

Lexo edhe:

Vuçiq e konfirmon takimin e fshehtë në Berlin: E dërgova unë Marko Gjuriqin

“Marko Gjuriqin në atë takim e kam dërguar personalisht unë”, tha Vuçiq para gazetarëve i pyetur për takimin në Berlin.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për asnjë fshehtësi përveç se nikoqirët kanë qenë përgjegjës të përmbajtjes së diskutimeve, transmeton lajmi.net.

“Pas atij takimi në të cilin jemi pajtuar së bashku me nikoqirët që të mos flitet për atë që është diskutuar, kam thënë se nuk do të ketë Samit të Parisit”, shtoi ai.

Vuçiq ka theksuar se Gjuriqin e ka këshilluar të përcjell mesazhin se Serbia dëshiron të jetë konstruktive, se dëshiron dialog dhe se gjëja më e rëndësishme është heqja e taksës”.

“Shqiptarëve nuk u ka shkuar mendja ta heqin taksën, andaj nuk ka rezultat në lidhje me atë takim. Por, mendoj se gjermanët dhe francezët tani e dinë se kush nuk dëshiron dialog, kush e ngecë, dhe kush dëshiron se në vend të Evropës dikush tjetër të merret me këtë temë. Nuk them se dikush tjetër nuk duhet të pyetet, por ata dëshirojmë që vetëm ata të tjerët të pyeten”, theksoi ai.

Kujtojmë se temë e këtij takimi, sipas burimeve të lajmi.net, ishte diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë  me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus.

Lexo edhe:

Kosova është përfaqësuar në këtë takim nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj Selim Selimi dhe ish-avokati i Haradinajt, Michael O’Riley, shkruan lajmi.net.

Takimi ishte aq sekret pasi as Presidenca, as Ekipi Negociator për dialog me Serbinë e as ministria e Puneve të Jashtme nuk ishte informuar paraprakisht se do të kishte një takim me palën serbe në Berlin.

Shefi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Shpend Ahmeti i tha lajmi.net dje se as si delegacion e as si kryetar i Partisë Socialdemokrate nuk ka qenë i informuar për takimin.

“Nuk kam pas informatë nga Qeveria as si delegacion, as si kryetar i PSD-së. Nuk e di qëllimin e as agjendën e takimit e poashtu as kush e ka ftuar këtë takim”, tha Ahmeti të enjten për lajmi.net.

Lexo edhe:

Në lidhje me këtë takim, nuk ka qenë e informuar as ministria e Punëve të Jashtme.

Liridon Llapashtica, këshilltar politik i ministrit, Behgjet Pacolli, ka thënë për lajmi.net, se MPJ-ja nuk ka qenë në dijeni në lidhje me këtë takim.

“Ministria e Punëve të Jashtme s’ka asnjë informacion në lidhje me temën që po e trajtoni ju. MPJ nuk ka qenë e informuar në lidhje më këtë takim. Ju lutem drejtojuni Zyrës së Kryeministrit”, ka thënë të enjten Llapashtica.

Lexo edhe:

Sido qoftë, lajmi.net dje dhe sot ka dërguar pyetje në zyrën për informim të kryeministrit lidhur më temën në fjalë dhe për mos reagimin e tij, mirëpo nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.

Burimet ndërkombëtare dhe vendore, ngjarja rrodhi kështu: takimi i fshehtë ka ndodhur të mërkurë më 19.06.2019, në Berlin.

Ftesa ishte nga njerëzit më të afërt të kancelarës gjermane Angela Merkel, andaj edhe u mbajt takimi sekret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky takim është mbajtur në zyret e kancelarisë Gjermane dhe aty kanë marrë e pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, mirëpo jo edhe përfaqësues nga SHBA-të.

Burimet e lajmi.net  kanë të konfirmuar se palën kosovare e kanë përfaqësuar dy njerëzit më besnik të kryeministrit Haradinaj, ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi, pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

Lexo edhe:

Pala serbe është udhëhequr nga Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

BE-ja është përfaqësuar nga Angelina Einhorst ( drejtoreshë për Evropën perëndimore, për Ballkan dhe Turqi nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së, Gjermania nga Dr. Jan Heckert (këshilltar për politikë të jashtme i kancelares Merkel), ndërsa Franca nga Alexandre Adam ( zëvendës këshilltar për Evropë nga Zyra e presidentit Macron).

Burimet e lajmi.net konfirmuan se qëllim i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë  me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus.

Të njëjtat burime ndërkombëtare dhe vendore e kanë konfirmuar se kryeministri Haradinaj tashmë ka pranuar propozimin e Gjermanisë që Kosova të pranojë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive si kompromis kryesor për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Lexo edhe:

Sipas këtij skenari, Serbia nuk do të ketë nevojë ta njoh pavarësinë e Kosovës de jure dhe as te vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Serbia vetëm do ta pranojë faktin se Kosova ka territorin e saj.

Pra, takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës.

Burimet tona konfirmojnë se përkundër progresit të arritur në këtë takim, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret dhe se pala serbe përsëri ka kërkuar heqjen e tarifave.

Burimet konfirmojnë se të deleguarit e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pasur fuqi dhe mandat të vendosin për heqjen e taksës dhe kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Gjermania dhe Franca. Si rezultat i dështimit të Kosovës për heqjen e taksës, burimet tona konfirmojnë se takimi i paralajmëruar për tu mbajtur në Paris, tashmë është anulur.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në Zyrën për informim të kryeministrit Haradinaj dhe Ambasadën e Kosovës në Berlin, por këta nuk kanë kthyer përgjigje. /Flutura Topana/Lajmi.net/