Lajm historik për futbollin kosovar: Licenca UEFA Pro vjen në Kosovë në vitin 2026

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka ndarë një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar: së shpejti në Kosovë do të nisë organizimi i kursit për Licencën më të lartë të trajnerëve, UEFA Pro. Në një postim entuziast në rrjetet sociale, Ademi tha se ky është një hap…

Sport

15/10/2025 19:07

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka ndarë një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar: së shpejti në Kosovë do të nisë organizimi i kursit për Licencën më të lartë të trajnerëve, UEFA Pro.

Në një postim entuziast në rrjetet sociale, Ademi tha se ky është një hap historik për zhvillimin profesional të trajnerëve dhe për vetë futbollin në vend.

“Pas përfundimit me sukses të cikleve të edukimit për Licencat UEFA C, B dhe A, tashmë kemi filluar përgatitjet për nivelin më të lartë – Licencën UEFA Pro! Ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe një arritje e jashtëzakonshme për futbollin tonë,” shkroi Ademi.

Sipas tij, përgatitjet për kursin po bëhen në bashkëpunim të ngushtë me instruktorin e njohur të UEFA-s, Frank Wormuth, dhe Departamentin Teknik të FFK-së. Tashmë ka nisur puna për ndërtimin e strukturës së kursit, përmbajtjes teorike dhe praktike, si dhe standardeve që do të aplikohen.

Postimi i plotë i Ademit:

Lajm i madh për trajnerët dhe për futbollin kosovar, Licenca UEFA Pro po vjen! ⚽️🇽🇰
Pas përfundimit me sukses të cikleve të edukimit për Licencat UEFA C, B dhe A, tashmë kemi filluar përgatitjet për nivelin më të lartë të edukimit, Licencën UEFA Pro!
Në këtë drejtim, Departamenti Teknik i FFK-së në bashkëpunim të ngushtë me instruktorin e UEFA-s, Frank Wormuth, kanë nisur përgatitjet për ndërtimin e strukturës së kursit, përmbajtjen e moduleve teorike e praktike dhe standardet që do të ndiqen.
Kësisoj, në 10-vjetorin e anëtarësimit në UEFA e FIFA, FFK do të fillojë me organizimin e kurseve të Licencës UEFA Pro, një moment ky shumë i rëndësishëm dhe një arritje e jashtëzakonshme për futbollin kosovar, pasi një gjë e tillë po bëhet në afat rekord!
Kjo është një tjetër dëshmi se jemi në rrugën e duhur dhe tregues i qartë i zhvillimit profesional që kemi ndërtuar si FFK, por edhe punës dhe përkushtimit të trajnerëve tanë.
Kursi i Licencës UEFA Pro pritet të fillojë në vitin 2026 dhe padyshim shënon një hap të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar!/Lajmi.net/