Lajçak nesër pret në takim Bislimin dhe Petkoviq, nga Bashkimi Evropian japin detaje

Edhe pse parashihej që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel javën e kaluar, një gjë e tillë nuk ndodhi. Takimi trilateral i paraparë të zhvillohej të mërkurën, nuk ndodhi pasi kryeministri i vendit Albin Kurti pati disa kërkesa për t’u plotësuar nga presidenti serb, Aleksadnar Vuciq, e…

Lajme

01/07/2024 13:03

Edhe pse parashihej që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel javën e kaluar, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Takimi trilateral i paraparë të zhvillohej të mërkurën, nuk ndodhi pasi kryeministri i vendit Albin Kurti pati disa kërkesa për t’u plotësuar nga presidenti serb, Aleksadnar Vuciq, e që ky i fundit kundërshtoi.

Kryeministri Kurti është takuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Joseph Borrell si dhe ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ndërsa theksoi se kërkesat e tij drejtuar presidentit serb, Vuçiq ishin që të dorëzohej tek autoritetet e Kosovës kryekrimineli serb, Milan Radojiçiq, që ish-kryeministrja serbe, Ana Brnabiq të tërheq letrën që kishte dërguar në BE si dhe që marrëveshjet e arritura Kosovë-Serbi të nënshkruhen.

Kurti theksoi se vetëm me nënshkrim të marrëveshjeve mund të ketë edhe zbatim të tyre pasi që Serbia vazhdimisht po i shkel ato.

Në lidhje me të gjitha këto zhvillime në kuadër të dialogut, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka deklaruar për lajmi.net se javën e kaluar Kurti dhe Vuciq vizituan Brukselin për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, por se gjithçka që ndodhi rreth këtyre takimeve është thënë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell.

Nga Bashkimi Evropian ndërkohë kanë konfirmuar se nesër në Bruksel do të udhëtojnë dy kryenegoaciotrët e dialogut, zv/kryeministri Besnik Bislimi si dhe shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq.

“Nesër Lajçak do të presë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një takim dialogu në Bruksel”,ka thënë Stano.

Tutje ai theksoi se si pjesë e diskutimeve, palët do të diskutojnë rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të tjera të dialogut.

“Siç e kemi thënë shumë herë më parë, të dyja palët pritet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesa apo parakushte të mëtejshme në mënyrë hap pas hapi”, deklaroi zyrtari i BE-së, Peter Stano.

Gjithashtu u bë e ditur se Bashkimi Evropian nuk do të komentojë përmbajtjen e diskutimeve në vazhdim.

BE-ja nuk do të komentojë përmbajtjen e diskutimeve në vazhdim.

Ndryshe ditë më parë , Josep Borrell, tha në një deklaratë për mediat, se, “Kosova nuk ishte e gatshme për takim tripalësh”, dhe kryeministri i saj, Albin Kurti, paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell, duke paraqitur kërkesat e Kurtit. Sipas Borrel, “Serbianuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti”. Megjithatë tha Borrel, “presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizmit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, gjithnjë në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.

Pavarësisht kësaj duhet përkujtuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksadnar Vuciq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, ku edhe u diskutua për zbatimin e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Sidoqoftë, pas takimeve të ndara që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuҫiq, zhvilluan me ndërmjetësit evropian, bëhet e ditur se diskutimet vazhdojnë javën e ardhshme në nivel kryenegociatorësh, ku do të flitet për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë. Kjo marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve,  është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj  është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja bazë ka 11 nene, ku ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjelltë të simboleve shtetërore. Po ashtu palëve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë procesit të dialogut.

Të dy ndërmjetësit evropian të dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrel dhe Mirosllav Lajҫak, së shpejti përfundojnë mandatin. Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell do të shërbejë në këtë post deri në vjeshtë. Ndërsa, së shpejti do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i Mirosllav Lajҫakut si ndërmjetësues i dialogut pasi Lajҫak, tashmë është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ndonëse ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa strukturat e BE-së të gjejnë zëvendësuesin e tij./Lajmi.net/