Ligji për Specialen arrin në Presidencë, Shiroka-Pula do të veprojë brenda afatit ligjor

Presidenca e Kosovës e ka pranuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Justina Shiroka-Pula. Kupina ka bërë të ditur se presidentja do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit të përcaktuar me…

Lajme

15/10/2026 17:54

Presidenca e Kosovës e ka pranuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Justina Shiroka-Pula.

Kupina ka bërë të ditur se presidentja do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit të përcaktuar me ligj.

“Kuvendi i Kosovës sot e ka përcjellë Ligjin për Dhomat e Specializuara në Presidencë. Presidentja Shiroka Pula do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor”, ka deklaruar Kupina.

Tashmë, pas përcjelljes së ligjit nga Kuvendi në Presidencë, pritet që presidentja të ndërmarrë hapat e mëtejmë në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin më 6 tetor, me 88 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime. Nisma për ndryshimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ndryshimet e parapara prekin disa aspekte të funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, përfshirë juridiksionin, periudhën kohore dhe territoriale që mbulon, dënimet, si dhe mundësinë që disa raste të kalojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Miratimi i ligjit nuk nënkupton automatikisht shfuqizimin e Gjykatës Speciale apo anulimin e vendimeve të saj. Zbatimi i ndryshimeve dhe përputhshmëria e tyre me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës mbeten çështje me rëndësi juridike.

Tashmë vëmendja është përqendruar te vendimi i presidentes Shiroka-Pula, e cila brenda afatit kushtetues duhet të vendosë për dekretimin ose kthimin e ligjit në Kuvend./lajmi.net/