Laboratori i drogës në Elbasan u zbulua fal informacionit gjerman

Bllokimi i laboratorit të drogës, ku u sekuestrua një sasi e madhe kokaine dhe e përzierërsve të saj, si dhe arrestimi i 11 personave, në mesin e të cilëve edhe nipi i Enver Hoxhës dhe burri i Rrezarta Shkurtit, Ermal Hoxha, erdhi pas një hetimi njëmujor nga Prokuroria për Krimet e Rënda.

Lajme

15/01/2015 17:38

Gjithçka ka nisur në fund të muajt nëntor, kur autoritetet gjermane i kërkuan Prokurorisë të vëzhgojnë dhe verifikojnë lëvizjet e një personi, që kishte udhëtuar nga Gjermania drejt Shqipërisë e që mendohej se merrej me trafik droge.

Pas këtij informacioni, Prokuroria ka nisur hetimet, duke vënë në përgjim numrat e personave me të cilët kishte kontaktuar personi i ardhur nga Gjermania.

Po ashtu, ai është fotografuar dhe filmuar nga policia e antidrogës.

Gjatë kësaj periudhe, sipas hetuesve, ai është takuar dhe ka biseduar me personat që tashmë janë arrestuar.

Prej tyre ai është furnizuar me një sasi droge, e cila është dërguar në Gjermani nën vëzhgim në distancë nga policia gjermane.

Gjatë hetimeve, të arrestuarit janë përgjuar e filmuar për të gjithë aktivitetin e tyre kriminal që e zhvillonin në Xibrakë të Elbasanit, në ish-magazinat e këtij qyteti.

Pjesë e këtij rrjeti, sipas Prokurorisë, kanë qenë edhe dy kolumbianët e arrestuar, të cilët punonin në laborator për përpunimin dhe nxjerrjen e ekstraktit të kokainës që vinte në forma të ndryshme nga Greqia, Maqedonia dhe Turqia.

Në laborator, ata nxirrnin ekstraktin e kokainës, të cilën e përpunonin, e thanin dhe e përzienin me përbërës të tjerë kimike para se të nxirrej në treg.

Hetimet kanë provuar se kur hynin në laborator, personat e arrestuar fiknin të gjithë numrat telefonikë, për t’ju shmangur vëzhgimit apo ndjekjes së mundshme nga policia.

Mësohet se ndërhyrja për arrestimin e tyre u bë pasi njëri nga të arrestuarit doli nga laboratori me rreth 19 kg kokainë të përpunuar dhe u nis në drejtim të Tiranës.

Sipas hetimeve të drejtuara nga prokurori Olsian Çela, të dyshuarit kishin role të ndryshme për sigurimin e mallit, përpunimin e tij, përzierjen, gjetjen e transportuesve, shitjen, si dhe sigurimin e mjeteve financiare.

Këto detyra pritet të zbardhen pas komunikimit të akuzave.

Në momentin e arrestimit, policia sekuestroi rreth 19 kg kokainë të pastër dhe rreth 100 kg lëndë kimike që dyshohet se është e përzier me lëndë narkotike të llojit kokainë.

Policia sekuestroi gjithashtu rreth 380 mijë euro, armë të disa llojeve, pajisje e mjete të ndryshme laboratorike si dhe 4 automjete që përdoreshin nga të dyshuarit për të lëvizur. /Abcnews/