Ky është sulm ndaj BE’së
Samuel Zbogar dhe Bernd Borchardt kanë dënuar me fjalët më të ashpra sulmin e sotëm ku mbeti i vrarë një pjesëtar i EULEX’it nga Lituania.

Lajme
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, e ka cilësuar si të papranueshëm sulmin e sotëm ndaj pjesëtarëve të Misionit EULEX nga i cili mbeti i vrarë një pjesëtar lituanez i këtij misioni.
Zbogar dhe Shefi i EULEX’it Bernd Borchardt kanë dalë të enjten para gazetarëve për t’i dhënë qëndrimet e tyre ndaj këtij sulmi.
“Ky sulm është i papranueshëm”.
“Është e qartë se ka njerëz që nuk janë të interesuar për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Sulmi mbi EULEX është sulm mbi BE.”
Ai ka lexuar para gazetarëve edhe deklaratën e Përfaqësues të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.
Ndërsa Shefi i EULEX’it ka njoftuar se viktima ka qenë i martuar dhe se në momentin tragjik ka qenë duke shkuar në pikën kufitare për ta marrë ndërrimin.
“Automjeti është sulmuar nga shumë persona afër Zveçanit”.
“Unë jam i shokuar me natyrën qyqare të këtij sulmi. Ju siguroj se do të bëj çmos për t’i sjellë kryesit para drejtësisë”, ka thënë Borchardt.