Ky është Liridon Masurica, që kërkohet nga SHBA për krime online

Policia e Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zhvilluar aksion në 2 lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan, që rezultoi me tre të arrestuar.   E në lidhje me këtë rast ka njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë…

Lajme

12/12/2024 21:32

Policia e Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zhvilluar aksion në 2 lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan, që rezultoi me tre të arrestuar.

 

E në lidhje me këtë rast ka njoftuar edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DAD).

 

Sipas njoftimit të tyre, në mesin e të arrestuarve është edhe 33-vjeçari nga Gjilani, Liridon Masurica, i njohur si “@blackdb”.

Ai akuzohet se drejton tregun kriminal online “BlackDB.cc”, i cili dyshohet se ka funksionuar si një platformë për shitjen e informacionit të komprometuar, përfshirë kredenciale llogarish, të dhëna të kartave të kreditit dhe informacione të tjera të ndjeshme personale, shkruan Lajmi.net.

Masurica u arrestua në Gjilan me ndihmën e Drejtorisë së Hetimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara po ndjekin procedurat për ekstradimin e tij bazuar në marrëveshjen bilaterale të ekstradimit mes Kosovës dhe SHBA-së.

 

Masurica përballet me një akuzë për komplot për të kryer mashtrim me pajisje qasjeje dhe pesë akuza të përdorimit të pajisjeve të paautorizuara për mashtrim.

 

Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burg. /Lajmi.net/