Ky është fëmija që u gjet në një kosh mbeturinash në Vlorë, 7 vjet më parë (Foto)

Familja rome që mbijeton duke mbledhur kanaçe e plastikë, shpëtoi jetën e një foshnje të hedhur në një kazan plehrash 7 vjet më parë dhe vendosi ta adoptonte. Një histori që mbyt paragjykimet…

Lajme

11/04/2016 11:39

Leonard Xhemalaj po kërkonte për plastikë të hedhur në koshat e plehrave. Ai kishte bërë më shumë se katër kilometra prej shtëpisë së tij në Lagjen “Kushtrimi” deri diku pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, kur duart i hasën në diçka që nuk gjendet zakonisht në kazanët e mbetjeve.

“E di ku më gjeti babi mua?! Në kazanin e lozhit më gjeti” -thotë Isaleo. Kjo ndodhi 7 vjet më parë. Isaleo ishte gati i asfiksuar. Leonardi e mori me vete fëmijën. E ëma e tij u kujdes ta pastronte dhe zgjonte. Foshnja, që siç kujton 43-vjeçari, ishte më e vogël se një parakrah. E shoqja Zhuljeta dhe e ëma e pastruan dhe e zgjuan foshnjën. Më pas shkuan në urgjencë. Askush sa kujton familja nuk u kujtua të kërkonte denoncim apo të mësonte më shumë se sa ata kanë thënë. Xhemalajt vendosën ndoshta që në atë moment ta rrisnin vetë…

Është ora 5:30 e pasdites në lagjen “Kushtrimi” në periferi të Vlorës, ku jeton familja Xhemalaj. Këtu shtëpitë janë të vendosur ngjitur me njëra-tjetrën. Shumë prej tyre janë baraka të ndërtuara nxitimthi. Pamja thyhet tek-tuk nga ndonjë vilë dy ose trekatëshe, një kalim nga ekstremi në ekstrem.

Shtëpia e Xhemalajt ndodhet në anën e kanalit të ujërave të zeza që përshkruan të gjithë lagjen. Duhet të kalosh një urë të sajuar me dërrasa të vjetra dhe pjesë llamarinash për të shkuar deri aty. Kanali është i mbushur me gjithfarë mbeturinash: Plehra të djegura, rroba të vjetra, qese, bidonë, të cilat banorët e tjerë i kanë hedhur sikur aty të mos jetonte askush. Është një lagje pa infrastukturë, pa ndriçim. Era e ujërave të zeza dhe e plehrave ta bëjnë më të vështirë frymëmarrjen.

Derën e hapin 3 fëmijë: 1 vajzë dhe 2 djem. Më i vogli duket se është djali që kanë gjetur pasi ngjyra e lëkurës e dallon qartë nga dy fëmijët e tjerë, ai nuk i përket komunitetit rom, sikurse familja që e ka gjetur. Një grua rreth të dyzetave me trup të mbushur del pas fëmijëve. E veshur tipike me veshje të komunitetit rom, buzëqesh duke u përpjekur të tregohet miqësore. “Kë kërkoni?” -pyet miqësisht. Si janë shkëmbyer formalitetet, ajo thërret Leonardin.

“E gjeta në një kazan mbeturinash afër shkollës së Marinës, ishte i mbuluar i gjithi nga plehrat, ja kaq i vogël ishte” -më thotë Leonardi duke më treguar parakrahun e vet. “Dukej që sa e kishin lindur dhe e kishin hedhur në plehra, ishte fati i tij që e gjetëm” -vazhdon Zhuljeta. “E mora në shtëpi, nëna ime e lau dhe e solli në vete sepse ishte gati i asfiksuar nga era e plehrave, ndërsa emrin ja vendosëm Isaleo”- shton Leonardi.

Nëse i referohemi anës ligjore, braktisja e fëmijëve parashikohet si vepër penale në Kodin Penal, Seksioni IX, neni 124 “Braktisja e fëmijëve të mitur”. Me anë të këtij neni, parashikohet se braktisja e fëmijeve nën 14 vjeç nga prindi ose nga personi që e ka fëmijën nën kujdestari dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Kur braktisja ka rezultuar me dëmtim të rëndë të shëndetit, ose vdekje, sanksioni është dënim me burg nga 3 deri ne 10 vjet. Edhe pse ligji ekziston, nëse Isaleo do të kishte vdekur, me gjasë askush nuk do të dënohej, madje askush nuk do të mund të bëhej përgjegjës për vdekjen e tij.

“Djali e di, si nuk e di, ia kemi treguar vetë ne” -më thotë Zhuljeta, duke përkedhelur kokën e Isaleos që rri i fshehur pas saj. Kanë preferuar që të jenë ata të cilët do t’i tregojnë për këtë gjë përpara se dikush tjetër ta bëjë duke u tallur ose për t’u hakmarrë.

2

Për fëmijën nuk ishte hera e parë që e dëgjonte. Në shtëpi me sy të lirë nuk sheh ndonjë lodër fëmijësh, përveç disa imitimeve të makinave të ndërtuara me lodra të thyera, edhe ato mesa duket të gjetura në plehra. Sigurisht që kushtet ekonomike të familjes nuk ja lejonin luksin e të paturit lodra si shumë fëmijë të tjerë, por tashmë Isaleo kishte atë që shumë fëmijë në jetimore e ëndërrojnë: Një familje. Prindërit nuk marrin tjetër mbështetje sociale përveç asistencës prej 5300 lekësh. “Vetëm me hekura jetojmë” -thotë Leonardi, duke drejtuar vështrimin nga një thes i madh me kanaçe, i cili ka pushtuar atë pak hapsirë përpara shtëpisë. “Ne motra nuk duam shpërblim se e morëm vetë dhe e kemi njësoj me fëmijët e tjerë” -thotë Zhulieta e friksuar sepse mos ndoshta mendojmë se ata kërkojnë shpërblim për atë që kanë bërë.

Adoptimi i djalit nuk ka pasur procedura të gjata, pasi në momentin kur e kanë gjetur kishte me vete edhe një certifikatë për të cilën ata nuk pranojnë të tregojnë mbiemrin me të cilin ishte regjistruar ai fillimisht. Kanë vendosur menjëherë t’i japin djalit një emër të ri dhe po ashtu mbiemrin e tyre. Thonë se nuk donin të kishin probleme në të ardhmen kur të regjistrohej në shkollë, ose nëse dikush do të donte ta largonte djalin nga ata. Megjithëse kushtet nuk duket se mund t’i japin Isaleos diçka tjetër përveçse një strehë, ata janë të vendosur të mos e privojnë nga mundësia për ta arsimuar.

Por situata nuk është aq e mirë. Leonardi vuan prej vitesh nga një sëmundje për të cilën ai përfitonte një asistencë mujore në formën e kempit. Por prej një viti atij i është hequr e drejta e kempit epror, sepse siç thonë në momentin e vizitës nuk ka pasur kriza. Shërbimet sociale, të thonë se përveç kësaj asistence, familja nuk përfiton asnjë lloj ndihme tjetër qoftë edhe për shkak të djalit të adoptuar pasi një gjë të tillë e vendos gjykata.

Në një farë mënyrë kjo mund të shihet si një braktisje për herë të dytë edhe pse si fëmija e familja që mori përsipër të kujdesej për të, nuk janë të rrallë në vend. Ndërkohë Isaleo është me fat nëse mund të quhet e tillë varfëria që e rrethon. Fëmijët e tjerë të braktisur mbeten në jetimore dhe shpesh bien pre e rrjetit të trafikantëve ose personave të tjerë që i shfrytëzojnë për lypje. Këtu flasim për gati 1.300 fëmijë romë me prindër të vdekur, shumica e të cilëve nuk figurojnë as të regjistruar në regjistrat e Gjendjes Civile. Praktikisht edhe jetimoret ose institucionet e tjera ku këta fëmijë akomodohen nuk janë plotësisht të sigurta. Jo pak herë këto institucone përballen me mungesë fondesh dhe nuk kanë kapacitetetet e duhura për të mbajtur shumë fëmijë, duke vënë në rrezik edhe përmbushjen e nevojave jetike të tyre.

Në vite, fati i këtyre fëmijëve ka qenë edhe më i keq. Rasti i fondacionit për fëmijët e braktisur “Fëmijët e tij”, para disa vitesh tregon se një pjesë e të miturve janë të ekspozuar edhe ndaj abuzimeve seksuale e formave të tjera të shfrytëzimit. Mjaft prej tyre kanë humbur pa gjurmë si ata të jetimores “Agia Varva” në Greqi e të tjerë në Itali.(mapo)