Kuvendi nuk lejon që Agim Bahtiri ta jep në shfrytëzim pronën komunale në fund të mandatit

Në mbledhjen e 41 të rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa, drejtuar nga kryesuesi Bislim Imeri e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, me vendimin e shumicës së anëtarëve janë hequr nga rendi i ditës pikat që kishin të bëjnë me dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale në Parkun Industrial-Zona Ekonomike, në Frashër.

Lajme

16/06/2017 16:49

Anëtarët që ishin për heqjen nga rendi i ditës të pikave të lartpërmendura,  e arsyetuan këtë duke thënë se kësaj përbërje të Kuvendit të Komunës po i afrohet skadimi i mandatit dhe nuk është mirë që prona komunale të jepet në shfrytëzim derisa sa të konstituohet përbërja tjetër e KK, që do të dali nga zgjedhjet e rregullta të nëntorit.

Anëtarët e KPF miratuan edhe Kornizën afatmesme buxhetore komunale 2018-2020 dhe Raportin financiar për periudhën janar-mars 2017.

Në vazhdim anëtarët e KPF miratuan Draft-rregulloren Nr. xx/2017 Për plotësim të Rregullores Nr. 04/2014 për auto-taksi, transport të udhëtarëve dhe Draft-rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2018, dokumente këto që të qiten në diskutim publik për një muaj ditë.

Anëtarët e KPF mbështetën edhe Propozim-vendimin për përkrahje financiare të Klubin Futbollistik “Trepça ’89”. /Lajmi.net/