Kuvendi ngeci në miratimin e projektligjeve të rëndësishme, 41 sosh mbetën “pezull”

20 dhjetori i vitit të kaluar ishte hera e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, u mblodhën në sallën e seancave plenare. Mirëpo aty nuk ishin për të diskutuar e votuar projektligje apo vendime, por në një takim solemn me homologët nga Shqipëria. Prej asaj dite asnjë aktivitet tjetër nuk është mbajtur në Kuvend,…

Lajme

19/01/2025 19:01

20 dhjetori i vitit të kaluar ishte hera e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, u mblodhën në sallën e seancave plenare.

Mirëpo aty nuk ishin për të diskutuar e votuar projektligje apo vendime, por në një takim solemn me homologët nga Shqipëria.

Prej asaj dite asnjë aktivitet tjetër nuk është mbajtur në Kuvend, ndërkohë që nga 10 janari, deputetët mund të mblidhen vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Por, projektligjet më të rëndësishme që kanë mbetur pa u proceduar, pos disa marrëveshjeve ndërkombëtare, janë Kodi Civil dhe Projektligji për Festa Zyrtare.

“Fatkeqësisht rreth 41 projektligje, janë në procedure është fatkeqësi që në mesin e tyre janë edhe 9 marrëveshje ndërkombëtare, që nuk janë ratifikuar ato marrëveshje përmbajnë projekte që do mund të ndihmonin sektorët e ndryshëm që të zhvillohen siç janë energjia, arsimi e shëndetësia dhe varen nga vullneti politik..”, ka deklaruar Violeta Haxholli – KDI për RTV Dukagjini.

E, prej tre vjetësh pa trajtim ka mbetur edhe peticioni i 10 mijë e 200 qytetarëve për faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë.

“Kuvendi do të duhej të mblidhej edhe tani në mënyre që t’i kryente punët që mund të mbesin për legjislaturën e ardhshme gjë që mendoj se si IKD, konsiderojmë se nuk do të duhej të mbeteshin në legjislaturën e ardhshme në mesin e këtyre projektligjeve janë edhe tri nisma legjislative, njëra është nga viti 2021”, ka theksuar Naim Jakaj – Hulumtues në IKD.

Jakaj tutje thotë se legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës, ka qenë më e dobëta. Për 4 vjet Kuvendi i Kosovës ka miratuar 282 ligje.