Kuvendi debaton të enjten për UP’në
Kuvendi i Kosovës do të debatojë të enjten për situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës, pas skandaleve që shpërthyen për shkak të publikimit të punimeve shkencore në revista të rreme.
Lajme
Me kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që në seancën plenare të radhës në Kuvend të mbahet debat parlamentar për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka kërkuar që politika t`i largojë duart nga Universiteti i Prishtinës.
Gjithashtu, ai ka kërkuar që partitë që kanë dorë në organizimin e protestave të studentëve të heqin dorë, në mënyrë që t`i lejojnë ata të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Ndërkaq, Kryetari i Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri, është shprehur kundër protestave të cilat përkrahen nga partitë politike.
Ai ka thënë se vendi më i duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje është Kuvendi i Kosovës, si organi përgjegjës për UP`në.
Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i AAK`së Burim Ramadani ka kërkuar dorëheqjen e menaxhmentit të UP`së dhe të Rektorit Ibrahim Gashi para debatit të së enjtes në Kuvend, në mënyrë që të debati mos të shfrytëzohet për vota elektorale, pasi që, sipas tij, UP është shndërruar në bazë të votave.