Kutri takohet me nënkryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut e Mitrovicës së Veriut, konsultohet për lirinë e “asocimit” të komunave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një “takim pune” me nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhançiq, nënkryetaren e Zveçanit, Natasha Tomaniq dhe nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojeviq. Ato, ai tha se i konsultoi “mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave”. Kurti…

Lajme

01/05/2024 14:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një “takim pune” me nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhançiq, nënkryetaren e Zveçanit, Natasha Tomaniq dhe nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojeviq. Ato, ai tha se i konsultoi “mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave”.

Kurti publikoi në Facebook fotografitë nga takimi në të cilën morën pjesë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kryeministri tha se pas vizitës dhe takimeve që i pati në Berlin javën e kaluar, e ka konsideruar si “hap të duhur” që të diskutojë me përfaqësues serbë të komunave veriore.

“Takim pune me nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević. Kësaj radhe bashkë me ministrat Nenad Rašić dhe Elbert Krasniqi. Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave”, shkroi Kurti.

Ato tha se i kanë thënë që “e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre”.

“Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu”, shkroi Kurti.

“Ky ishte bashkëbisedimi ynë i dytë në pak se dy javë. Komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi. U jam mirënjohës nënkryetareve Ađančić, Tomanić dhe Bogojević për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve”, shtoi kryeministri.

Hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i kanë kërkuar Kurtit vendet perëndimore europiane në mënyrë që Kosova të anëtarësohet përfundimisht në Këshillin e Europës në mes të këtij muaji.

“Tash vjen puna e vështirë”, pati paralajmëruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ndërsa u ishte shprehur i kënaqur që Kosova më 16 prill avancoi më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Komiteti i Ministrave pritet ta marrë vendimin përfundimtar më 16 maj.

Postimi i plotë: