Kushti ri i Gjermanisë: Për fitimin e shtetësisë, duhet pranuar të drejtën e Izraelit për të ekzistuar

Atyre të cilëve aplikojnë për shtetësi në Gjermani, tash e tutje do t’u kërkohet të pohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Kjo duke iu referuar ndryshimeve në ligjin e shtetësisë së vendit. Legjislacioni, i cili hyri në fuqi të enjten, është pjesë e një rishikimi më të madh të shtetësisë nga Berlini, shkruan…

Bota

28/06/2024 12:09

Atyre të cilëve aplikojnë për shtetësi në Gjermani, tash e tutje do t’u kërkohet të pohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Kjo duke iu referuar ndryshimeve në ligjin e shtetësisë së vendit.

Legjislacioni, i cili hyri në fuqi të enjten, është pjesë e një rishikimi më të madh të shtetësisë nga Berlini, shkruan CNN, përcjell Klankosova.tv.

Sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë, provimi për të fituar shtetësinë tani do të përfshijë një numër pyetjesh të reja.

“Në përgjigje të rritjes së antisemitizmit në Gjermani, lista e pyetjeve në testin e natyralizimit është zgjeruar. Pyetjet e reja të provimit janë shtuar mbi temat e antisemitizmit, të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar dhe jetën hebreje në Gjermani”, thuhet në njoftim.

Lufta në Gaza dhe mbështetja e fortë e Berlinit për Izraelin , ka nxitur shumë diskutime në Gjermani.

Pas sulmeve të 7 tetorit, ligjvënësit gjermanë, përfshirë kancelarin Olaf Scholz, përsëritën se siguria e Izraelit është “arsyeja shtetërore” e Gjermanisë, ose çështje e interesit kombëtar.

Por zëra të tjerë në vend kanë akuzuar autoritetet se kanë shkuar shumë larg, duke shkelur të drejtat e pro-palestinezëve për lirinë e fjalës dhe lirinë e tubimit.

Gjermania ka diasporën më të madhe palestineze në Evropë, e cila vlerësohet në 300 mijë.