Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Albulena Haxhiut për procedurën e zgjedhjes së Presidentit
Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuesja njoftoi se ka vendosur njësëri që ta hedhë poshtë kërkesën dhe të refuzojë kërkesën vendosjen e masës së përkohshme. “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars…
Lajme
Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.
Kushtetuesja njoftoi se ka vendosur njësëri që ta hedhë poshtë kërkesën dhe të refuzojë kërkesën vendosjen e masës së përkohshme.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars 2026, ka vendosur për kërkesën me numër të rastit KO68/26, të parashtruar nga znj. Albulena Haxhiu dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”. Gjykata, njëzëri, vendosi: TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme; T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit”, thuhet në njoftim.
Haxhiu dhe deputetët i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mos pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votim për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur me 5 mars 2026 kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga Aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]”.
Kërkesa në Kushtetuese ishte dorëzuar nga Haxhiu një ditë pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, për shkak të mungesës së kuorumit. Në atë seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të vazhduar procedurën e votimit.
Pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu kishte bërë të ditur se përmes kërkesës në Kushtetuese ishte kërkuar edhe pezullimi i afatit kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë vazhdimit të procedurave për zgjedhjen e Presidentit, pa ndryshime në afatet kushtetuese.