Kushtetuesja refuzon kërkesën për lirimin e filantropit turk

19:40 | 22 Maj 2019

Gjykata Kushtetuese e Turqisë hodhi sot poshtë kërkesën për lirimin e filantropistit dhe aktivistit të njohur turk Osman Kavala, i cili mbahet në burg që prej fundit të vitit 2017.

Së bashku me 15 persona të tjerë ai akuzohet për “përpjekje për të përmbysur qeverinë”, pasi kishte përkrahur demonstratat anti-qeveritare në pranverën e vitit 2013, të quajtur “Lëvizja e Gezi Park”.

Avokatët e Kavalas i bënë thirrje Këshillit Kushtetues, duke argumentuar se ndalimi i përkohshëm i klientit të tyre, një aktivist i cili është i respektuar në qarqet e intelektualëve në Turqi dhe jashtë vendit, është një “shkelje e të drejtave”.

Kërkesa e tyre u refuzua

“Vendimi i pashpjegueshëm i Gjykatës Supreme turke është një thikë në plagët e padrejtësisë”, tha në një deklaratë Amnesty International në Turqi.

“Të drejtat e Osman Kavalës janë shkelur. Ai nuk duhet të kishte kaluar një ditë të vetme pas hekurave, e lëre pastaj 600 ditë. Akuzat kundër tij duhet të hiqen dhe ai duhet të lirohet menjëherë. Pretendimet e çuditshme kundër Osman Kavalës janë një përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të heshtur për një nga figurat më të shquara të shoqërisë civile të Turqisë”.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka vepruar me “dorë të hekurt” kundër atyre që morën pjesë apo mbështetën protestat e vitit 2013, e cila ajo e përshkruan si “përpjekje për grusht shteti”.

Kavala hyri në paraburgim në nëntor 2017, ndërsa prokurorët turq nuk e përfunduan aktakuzën e tij deri në mars, 16 muaj më vonë.

Prokurorët turq kërkojnë për Kavalën dhe 15 të dyshuar të tjerë, duke përfshirë aktorë, avokatë, aktivistë dhe gazetarë, gjithsej 47,520 vjet burg, me akuza për përpjekje për të përmbysur qeverinë duke organizuar protestat Gezi në 2013, demonstratat më të mëdha kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan që kur erdhi në pushtet në 2003.

Kavala është akuzuar për organizimin e protestave duke sponsorizuar kryengritjen përmes organizatës së tij jofitimprurëse Anadolu Kiltür, e krijuar për të mbështetur paqen dhe demokracinë përmes artit dhe kulturës dhe lidhjet e tij me degën lokale të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, krijuar nga investitori amerikano-hungarez George Soros./Ora