Kushtetuesja ende në shqyrtim të kërkesës së Listës Serbe rreth nënkryetarëve të Kuvendit nga pakicat, çfarë pritet të ndodhë pas 30 shtatorit?

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur debate të forta mbi interpretimin e Kushtetutës dhe rolin e partive politike. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa aktgjykime, zbatimi i tyre ka mbetur i pjesshëm, duke ngritur pyetje mbi nevojën e ndryshimeve të mundshme kushtetuese. Deri më tani Gjykata Kushtetuese ka dhënë dy aktgjykime…

Lajme

25/09/2025 22:10

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur debate të forta mbi interpretimin e Kushtetutës dhe rolin e partive politike. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa aktgjykime, zbatimi i tyre ka mbetur i pjesshëm, duke ngritur pyetje mbi nevojën e ndryshimeve të mundshme kushtetuese.

Deri më tani Gjykata Kushtetuese ka dhënë dy aktgjykime për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe së paku edhe një i tretë pritet.

Paqartësitë dhe dyshimet për hapat e ndërmarrë në këtë proces i kanë detyruar partitë politike t’i drejtohen instancës më të lartë për interpretimin e Kushtetutës.

Nga debati mbi votimin e fshehtë deri te zgjedhja e ndarë e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, një sërë çështjesh tashmë janë bërë tema kyçe në Kushtetuese.

Por, edhe pse aktgjykimet janë shpallur, ato nuk janë zbatuar plotësisht.

Ndryshe vendimi i 26 qershorit, që urdhëronte konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh, është shembulli më i qartë: afati ka kaluar, ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht.

Mungesa e masave ndëshkuese në aktgjykimet e Gjykatës ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme – si nga politikanët, ashtu edhe nga ekspertët ligjorë.

Kur kanë mbetur edhe pesë ditë nga aktgjykimi tjetër lidhur me konstitituimin e Kuvendit, ende nuk dihet se cilët do të jenë hapat e radhës.

Për të marrë një përgjigje, rreth situatës lajmi.net, ka kontaktuar Gjykatën Kushtetuese nga ku nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë.

Por siç thekson Gjykata, ankesa e Listës serbe kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive, është aktualisht në procedurë të shqyrtimit.

“Kjo kërkesë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Për çdo vendim të Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Por çfarë thonë partitë politike?

Lidhur me situatën e krijuar tashmë në Kuvend, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shprehen të gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare ndonëse siç theksojnë në këtë parti ato në logjikë nuk i përkrahin.

Deputeti i kësaj partie Krenar Xhaferi tha se në situatën aktuale vendi më shumë po shkon kah zgjedhjet e parakohshme.

“Nuhatja po shkon drejt zgjedhjeve por realisht s’duhet të jetë e tillë. Kemi kaluar një proces zgjedhor dhe një proces tjetër do të ishte pothuajse me rezultat të njëjtët me më pak vota për VV-në si dhe prapë do të duhej marrëveshje politike. Në logjikë s’ka nevojë për zgjedhje por situata në të cilën jemi bllokuar mund të sjell zgjedhje. Ne si LDK jemi të gatshëm çdo herë për zgjedhje por s’i përkrahim në logjikë pasi i pari duhet të ketë pjekuri politike dhe ë arrihet një marrëveshje”, tha Xhaferi.

Teksa deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se në rrethanat aktuale politike në Kosovë, janë të pashmangshme zgjedhjet e reja.

Ajo ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese, prokuroritë, mediat e bizneset, çdo ditë po përballen me sulme e linçime të cilat sipas saj janë përpjekje e halur, për të cenuar rendin demokratik.

Në një prononcim për lajmi.net, Deliu-Kodra, pati deklaruar se është e frikshme mënyra se si në mënyrë të orkestruar po sulmohen institucionet kredibile të Kosovës.

“Është ë frikshme mënyra se si në mënyrë të orkestruar po sulmohen institucionet kredibile të RKs. Gjykata Kushtetuese, prokuroritë, mediat, bizneset, çdo ditë përballen me sulme e linçime që janë përpjekje e halur për të cenuar rendin demokratik. Bazuar në zhvillimet politike ajo që shohim është se pashmangshëm do të përfundojmë në zgjedhje të reja por përtej procedurave është një dëm i madh social, politik i cili me vetëdije të plotë po i bëhet Kosovës, shoqërisë dhe institucioneve nga ana e Albin Kurtit dhe eksponentëve të lartë të LVV-së”, ka thënë Deliu-Kodra për lajmi.net.

Për dallim nga dy partitë më mëdha në opozitë, nga Nisma Socialdemokrate, thonë se zgjedhjet nacionale në vend mbesin si opsioni i vetëm në rast se do të mungoj kompromisi politik.

Kështu të paktën është shprehur për lajmi.net, deputetja e Kuvendit nga radhët e Nismës, Xhevahire Izmaku, e cila thotë se zgjedhjet nuk duhet të jenë opsioni i parë.

Sipas saj vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një kornizë të qartë ligjore, por se funksionalizimi normal i institucioneve nuk varet vetëm nga vendimi në letër.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një kornizë të qartë ligjore, por funksionalizimi normal i institucioneve nuk varet vetëm nga vendimi në letër , ai kërkon mbi të gjitha vullnet politik dhe një marrëveshje mes forcave politike”, thotë Izmaku.

Derisa opinioni publik tani është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi kërkesën e Listës Serbe.

Kësaj gjykate i është drejtuar më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me kërkesën për të sqaruar se çfarë ndodh në rast se nuk respektohet afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i vendosur nga gjykata.

Më pas, Osmani e ka tërhequr kërkesën, duke u bazuar në faktin se gjykatësin Radomir Llaban, i cili ishte raportues për këtë rast, e konsideron “rrezik për sigurinë kombëtare”.

Megjithatë, njohës të çështjeve kushtetuese vlerësojnë se, edhe pas tërheqjes së kërkesës nga Osmani, Gjykata ka të drejtë të vazhdojë procedurën. /Lajmi.net/