Kushtetuesja cakton fatin politik të vendit

Aktualisht, institucioni kryesor që do të vendosë për të ardhmen politike në vend, është Gjykata Kushtetuese. Ky institucion, pas kërkesës së Presidentes, pritet të sqarojë procedura për zgjedhjen e qeverisë së re.

Lajme

21/06/2014 09:44

Gjykata Kushtetuese e Kosovës për pak ditë do të gjendet sërish para një sfide të madhe, që realisht mund të jetë edhe përcaktuese për fatin e politik të vendit, për faktin se do t’i duhet të saktësojë se kush duhet të mandatohet për krijimin e qeverisë së re.

Pas vendimit të shtatorit të vitit 2010 në rastin e Fatmir Sejdiut që çoi vendin drejt zgjedhjeve, pastaj pak muaj më vonë edhe për rastin e ish-presidentit Pacolli, që dha ndërhyrjen amerikane për kapërcimin e “ngërçit politik” të krijuar, Gjykata Kushtetuese ka në dorë një rast të tretë në të cilin kërkohet vendimi i saj që nuk mund të diskutohet nga askush.

Këtë radhë nuk ka të bëjë me pozitë të presidentit por është çështja më e ndërlikuar.

Veprimi i tri partive opozitare të cilat nënshkruan marrëveshje për të qeverisur, ka futur në paqartësi kushtetuese vendin, gjë që ka detyruar të parën e shtetit, Atifete Jahjaga, të kërkojë “ndihmë” nga Kushtetuesja. Ajo i është drejtuar institucionit që është thirrur të bëjë interpretimin e Kushtetutës nga i cili ka kërkuar të sqarojë kompetencat e saj në disa nene të caktuara që kanë të bëjnë me mandatarin e qeverisë së ardhshme. (Tribuna)