Kushdo që mohon simbolet, mohon Republikën e Kosovës

Deputetja Vjosa Osmani thotë se heqja e simboleve shtetërore është shembull shumë i keq i qeverisjes dhe akt i turpshëm dhe tregon injorim ndaj shtetit.

Lajme

29/12/2013 12:22

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila është edhe Kryesuese e Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane, thotë se shkelja e kushtetutshmërisë dhe Ligjeve të Republikës së Kosovës duhet të trajtohet njëjtë, pavarësisht a bëhet ajo nga komuna e Graçanicës, nga komunat në veri të vendit, apo nga Komuna e Prishtinës.

Deputetja Osmani e ka bërë këtë deklaratë në rrjetin social Facebook.

“Neni 2.2 i Ligjit për simbole specifikon se ‘me flamurit, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti i saj shtetëror’ dhe neni 4.1 thotë se ‘Flamuri shtetëror vendoset në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore…’.

“Përdorimi i simboleve shtetërore rregullohet edhe përmes Neni 15 të Ligjit për Protokollin e Shtetit. Komunat, qartë, janë institucione shtetërore, dhe zyra e një kryetari të komunës është zyra kryesore përfaqësuese e atij institucioni”.

“Edhe pse komunat kanë të drejtë të kenë simbolet e tyre dalluese, ligji i obligon që ato t’i përdorin krahas simboleve shtetërore”.

“Edhe Kushtetuta parasheh se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Pra kushdo që i mohon këto simbole, e mohon Republikën e Kosovës”.

“Është mirë të dihet që Kryetari Isa Mustafa gjithmonë ka mbajtur edhe flamurin kombëtar në zyrë, krahas atij shtetëror”.

“Kështu që kushdo që thotë se e solli flamurin kombëtar tani, nuk e thotë të vërtetën. Me qindra fotografi të botuara nga zyra e kryetarit Mustafa gjatë mandatit të tij e vërtetojnë këtë”.

“Heqja e simboleve shtetërore, prandaj, është shembull shumë i keq i qeverisjes dhe akt i turpshëm, dhe tregon injorim ndaj shtetit”.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të duhej të reagonte ndaj të gjitha rasteve të tilla, pavarësisht a udhëhiqen komunat nga shqiptarët apo nga serbët”.