Kush është fitues i zgjedhjeve lokale në Kosovë?
Nga rezultati preliminar i balotazhit të mbajtur më 9 nëntor në 18 komuna, por edhe nga raundi i parë më 12 tetor po konsiderohet se të gjitha partitë garuese fituan nga pak. Ndërsa, i gjithë procesi votimit vlerësohet pozitivisht. Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se Vetëvendosje me rezultatin e balotazhit ka shënuar rritje…
Lajme
Nga rezultati preliminar i balotazhit të mbajtur më 9 nëntor në 18 komuna, por edhe nga raundi i parë më 12 tetor po konsiderohet se të gjitha partitë garuese fituan nga pak. Ndërsa, i gjithë procesi votimit vlerësohet pozitivisht.
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se Vetëvendosje me rezultatin e balotazhit ka shënuar rritje të lehtë në nivel komunal, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka stabilitet në komuna dhe asamble. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ka rritje në përfaqësimin në asamble komunale, por që ka shënuar rënie të lehtë në nivel të udhëheqjes së komunave.
Sipas Arifit. të gjitha partitë politike në zgjedhjet komunale kanë fituar nga pak, por kjo varet se si interpretohet nga vetë këto subjekte.
“Mund të themi se ka pasur fitues, por kjo është në vija të trasha e në vija të holla ka pasur parti që kanë pasur lëvizje më signifikante, parti që kanë pasur stabilitet dhe parti që kanë stagnuar aty ku kanë qenë para këtyre zgjedhjeve që i bie që LDK ka një stabilitet sa i përket komunave dhe asambleve, PDK ka rritje në asamble, por rënie të lehtë në nivel të komunave, Vetëvendosje ka rritje të lehtë në nivel komunal. Pra, për herë të parë i ka shtatë komuna që i ka pasur katër para këtyre zgjedhjeve, para vitit 2021 ka pasur dy komuna, pra ka një rritje signifikante sa i përket shtrirjes gjeografike të udhëheqjes së komunave nga Vetëvendosje. Pra, në njëfarë mënyre të gjitha nga pak kanë fituar dhe varësisht se cila parti si do ta interpretojë”, tha ai.
Arifi potencon se rezultatet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe balotazhi i 9 nëntori tregon që niveli qendror të mos interferojë në atë lokal.
“Nga këto zgjedhje derivoi se ka shumë rëndësi individi, i cili përfaqëson garën dhe jo lista e programi për fat të keq. Gjithçka është koncentruar vetëm tek individi dhe kjo duhet te rishikohet në të ardhmen që niveli lokal të mos ketë shumë interferime nga qendra dhe kjo ka qenë një nga përparësitë dhe mangësitë qe i kanë partitë shqiptare”, theksoi Arifi.
Hulumtuesi i lartë pranë Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj e konsideron të mbarë procesin e balotazhit. Por, ai konsideron se prania e shtuar e kryeministri në detyrë Albin Kurti në komunat ku garonin kandidatët e LVV-së për kryetar komunash është thyerje e heshtjes zgjedhore.
“U zhvillua mirë, pati kulturë të lartë të qytetarëve në procesin e votimit dhe nuk pati ndonjë problem i cili kishte me cenua integritetin e krejt procesin zgjedhor. Për më tepër edhe rezultatet e zgjedhjeve u publikuan në kohë reale…ajo që vërehet është një prani e shtuar e Kurtit si kryeministër në detyrë, i cili dje qëndroi gjatë tërë kohës në Mitrovicën e Jugut, gjë për të cilën ne konsiderojmë se është një presion që nuk ka ndodhur më herët ose që ka ndodhur, por në masë më të vogël edhe ajo nuk lejohet, por kësaj radhe ka pasur prani të shtuar, e cila ka qenë thyerje e heshtjes zgjedhore, sepse nuk lejohet të parakalohet apo të bëhet sfilatë nëpër sheshet ku janë në balotazh, sepse ajo përçon një mesazh se po zhvillohet një aktivitet që nuk është i lejuar”, tha ai.
Bazuar në të dyja rundet e votimeve për kryetarë të 38 komunave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës fituan nga shtatë komuna, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës fitoi gjashtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë komuna.
Në balotazhin e 9 nëntorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicën e Jugut, Gjilan, Fushë-Kosovë, Obiliq. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti, Junik. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Prizren, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec.
Në raundin e parë VV fitoi në Kamenicë, Shtime, Podujevë, LDK fitoi në Lipjan, Istog, PDK në Skenderaj e Ferizaj, NISMA në Malishevë, AAK-ja në Deçan. Partia turke KDTP dhe iniciativa e Ramiz Lladrovcit siguruan nga një komunë secila. Ndërsa, Lista Serbe ka fituar 10 komuna, prej tyre nëntë në raundin e parë.
Rezultatet përfundimtare do të shpallen nga KQZ-ja më së largu pas dhjetë ditësh, pas numërimit të dhe të votave me kusht, atyre jashtë Kosovës dhe personave me aftësi të kufizuara. Certifikimi i rezultateve për asamble komunale do të bëhet pasi të përfundojë shqyrtimi i të gjitha ankesave në PZAP dhe eventualisht nëse do të ketë ankesa më pas edhe në Gjykatën Supreme.
Kujtojmë, këto ishin zgjedhje të rregullta për kryetar dhe asamble komunale me mandat katërvjeçar në 38 komuna të Kosovës.