Kush e rrezikon fronin e Bashës?
Ndoshta për herë të parë në këto 30 vite pluralizëm situata post zgjedhore na ofron vetëm një pamje. I gjithë vështrimi është orientuar tek fati i mëtejmë i humbësit duke lënë në sfod fituesin që ndihet më komod sesa e pandehte veten .
Opinion
Shkruan: Dr. Ndue Bardhi
Kjo atmorferë është pasojë e veprimit të kahershëm të liderit historik të PD-së i cili për efekte pragmatizmi e klientelizmi nuk mendoi gjithaq për një parti të shëndetshme dhe progresiste, por thjeshtë për një zëvendësues (pa ligjimitet të plotë mendimi dhe veprimi). Kjo strategji sa pragmatiste, aq edhe tinzare ndoshta është “mallkimi” më i madh që e ndjek sot e kësaj ditë PD-në dhe liderin e saj aktual.
Ky i fundit, me gjithë rrekjet për tu shfaqur ndryshe nga paraardhësi i tij, nuk i’a doli t’i mbushë mendjen popullit dhe elektoratit të djathtë se është lider karizmatik. Jo vetëm që nuk arriti ta shfaqë veten si i tillë, por edhe atëherë kur mori përsipër veprime radikale nuk ngjiti. Madje në disa raste radikalizmi i tij ishte sa komik ( rasti i çadrës) , po aq është disfatist (humbjet radhazi në zgjedhje). Megjithatë tashmë ndodhemi në një tjetër kontekst zhvillimor.
Situata post zgjedhore e ka kanalizuar temën e debatit politik te rrjedha e ngjarjeve që lidhen me fatin e lidershipit (kryetarit) dhe të ardhmën e partisë më të madhe opozitare PD-së. Nëse do të kacavirremi pas parimit se humbësi duhet të hapë shtegun i bie që z. Basha të nesërmen e daljes së rezultatëve t’i jepte lamtumirën partisë. Meqenëse ky akt nuk ndodhi, pritshmëritë e të gjithë atyre që hamendësojnë dhe mendojnë se kryetari aktual i PD-së duhet të largohet do të mbeten në kuadër të nismave .
Mbetën të tilla për një mori arsyesh. Pikësëpari Bashën e “duan” në krye të PD-së edhe kundërshtarët politikë. Ndonëse në dukje me doza humori ( Luli është çun i mirë), në thelb kreu i PS-së është OK me Bashën oponent politik.
Edhe ata që deri dje nuk kursyen sulmet, insinuatat dhe agresivitetin, ca janë zbutur e të tjerë janë bërë flamurtarë të vijës së parë duke e fragmentarizuar peshën e humbjes dhe parimin e dorëheqjes. Një tjetër arsye se kreu aktual i PD-së mund të mbetet i tillë është kohezioni rreth e rrotull kryetarit. Ai ka pas vetes grupin parlamentar, kryesinë dhe më kryesorja bekimin e përjetshëm të “babait” të tij politik.
Në këtë kuptim, Basha duket më komod sesa para zgjedhjeve. Ai, nuk pati këllqe të fitojë dhe të qeverisë Shqipërinë, por po tregon muskuj se ka fuqi ta mbajë fort karriken e kryetarit.
Jo pa qëllim, ashtu ngutshmën dhe rrëmujshëm ka paralajmëruar mbledhjen e Kryesisë Qëndrore dhe e Këshillit Kombëtar. Këto takime nuk është se do të sjellin ndonjë risi, përkundrazi është një sebep për të riaktivizuar instrumentin e propagandës se “zgjedhjet u fituan, por fitoren na e vodhën”!
Me gjasë këto dy takime janë qoka për shfajësim, viktimizim dhe rimobilizim të idhtarëve të Liderit për ta mbështetur atë dhe nga ana tjetër për t’ju kundërvënë të gjitha atyre që janë për ndryshim thelbësor duke i quajtur madje edhe si shërbetorë të Ramës.
Këto muaj temperatura politike brenda kampit blu do të rritet, kundërshtarët e Bashës do të ndërmarin edhe aksione konkrete, por aksionet do të mbeten ne tentativë.
Megjithëse ata që duan largimin e Bashës janë në të drejtën staturore të partisë, në të drejtën e parimeve politike, gjithsesi kanë hyrë në këtë betejë të pabarabartë kundrejt që personi që është investuar me çdo kusht e çmim të mbajë në këmbë fronin.
Dmth, Bashën mund ta gërvishtin, por vështirë ta asgjësojnë politikisht. Kjo nuk vjen si rezultat aftësive të tij,por falë mbështetjes që i’a japin të tjerët dhe të tijët për arsye nga më të ndryshmet. Kur flasim për asgjësim politik, Basha ka vetëm një frikë që e ndjen gjithë kohën. Ky rrezik është baza e partisë!
Nuk është rastësi strategjia e ndërtuar kinse për mosnjohje zgjedhjesh, bile është e planifikuar si rreng, apo lojë për përdorim të brendëshëm, kryesisht si alibi. Thënë figurativisht, Basha po e përdor këtë përrallën e mosnjohjes së zgjedhjeve si “ilaç” për të vënë në gjumë elektoratin-bazën e partisë.
Sikurse, nuk është e rastit që sapo u “fikën llampat” e procesit zgjedhor, Basha nxitoi të ishte mes elektoratit. Një turravrap që nuk është as ngushëllues e as lavdërues, po është strategji e mirëmenduar për t’i paraprirë rrezikut.
Pra, turi i pazakontë i Bashës ka vetëm një qëllim: të zbusë nervin e elektoratit të cilit siç thotë një fjalë e urtë popullore i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga dështimet e njëpasnjëshme ne liderit të saj.
Në këtë kontekst nëse Bashës i kanoset një rrezik serioz dhe i pamenaxhueshëm, ai rrezik quhet baza e partisë. Nëse shkendijat e zemëratës marrin flakë ajo nuk shuhet as me mbështetjen e grupit parlamentar as me bekimin e “babait” të tij politik.
Kur baza ngrihet, ngjan me një ortek që shkallmon jo thjeshtë fronin e Bashës, por gjithcka të trashëguar nga politikat e dështuara. A do ta fitojë këtë loje nervash kryetari i PD-së dhe a jep garanci për beteja të mëvonshme politike?!.. Sido që të ndodhë, edhe nëse e fiton këtë lojë, ai nuk jep garanci për beteja të mëdha politike dhe as për të qenë lider që i prin elektoratit.
Kur pas humbjes së radhës kërkon të gjesh shpëtim te elektorati dhe të fshihesh pas tij ngjan me piramidën e përmbysur. Duhet të jetë lideri që i prin elektoratit dhe jo e kundërta.
Autori është Dr Shkencave Mjekësore dhe President i Shoqatës Oftalmologjike Shqiptare./kohajone/