Kusari-Lila tregon për gjendjen e krijuar në Gjakovë

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tregon se për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, në komunën që ajo udhëheq ka pasur disa vështirësi.

Lajme

06/01/2016 21:08

Kusari-Lila njofton se në disa shkolla procesi mësimor është mbajtur me orar të shkurtuar.

Ndërkaq, lidhur me gjendjen e rrugëve, Kusari-Lila thotë se bvështirësi ka pasur në rajonin e Hasit dhe të Dushkajës, raporton lajmi.net.

Deri më tani, sipas Kusari-Lilës, asnjë lum nga ka dalë nga shtrati./lajmi.net

Postimi i plotë i Kusari Lilës:

Situata me disa çrregullime por nën kontroll pas reshjeve të fundit në Komunën e Gjakovës

Pas reshjeve të fundit të shiut në Komunën e Gjakovës, zyrtarë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë dalë të monitorojnë situatën në zona të ndryshme të Komunës.

Me këtë rast, janë evidentuar dëmet e para të cilat kanë shkaktuar probleme sidomos në mbarëvajtjen e procesit mësimorë çfarë ka shkaktuar që orët të zhvillohen me orar të shkurtuar.

Mësimi nuk është zhvilluar në shkollën “Durak Ahmeti” në Demjan 1, “Kongresi i Manastirit” në Demjan 3, kurse në shkollën “Pjetër Bogdani” Demjan 2 mësimi është zhvilluar me orar të shkurtuar.

Për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut, vështirësi kishte edhe në shkollën “Zekria Rexha” ku mësimi është ndërprerë në pjesën e dytë të ditës.

Gjithashtu, për shkak të nivelit më të madh të reshjeve të borës dhe shiut, vështirësi kishte në rajonin e Hasit dhe të Dushkajës, kurse sa i takon lëvizjes së qytetarëve rrugët përgjithësisht ishin të qarkullueshme me përjashtim të rrugëve të cilat janë në proces të punimeve dhe ku rrjedha ujit të mbledhur qarkullon me vështirësi. Disa prej këtyre rrugëve kanë shkaktuar probleme në qarkullim të këmbësorëve dhe makinave në afërsi të institucioneve shkollore.

Nga terreni deri me tani nuk është raportuar që të ketë pasur ndonjë përmbytje, e as dalje të ndonjë lumi nga shtrati. Lumenjtë e Gjakovës janë brenda kufijve të shtratit të lumit.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës mbetet në vëzhgim të vazhdueshëm të situatës, ku prindërit dhe nxënësit do të njoftohen me kohë nëse do të zhvillohet ditën e Premte procesi mësimor në shkollat e Komunës së Gjakovës.