Kurtulus: Kosovën dhe Suedinë i kam në zemër, më duket e drejtë të përfaqësoj Suedinë
Edvin Kurtulus ka folur pasi ka zgjedhur kombëtaren suedeze përpara asaj të Kosovës.

Sport
Mbrojtësi i Hammarby, Edvin Kurtulus është thirrur në Kombëtaren A të Kosovës, por ka zgjedhur të thotë jo për të qenë në gjendje të përfaqësojë Suedinë.
Dokumentet e nevojshme për ndryshimin e kombëtareve janë dërguar në FIFA dhe tashmë Edvini dhe drejtuesit e kombëtares suedeze janë në pritje të vendimit zyrtar.
E lidhur me këtë ka folur edhe vet lojtari, duke thënë se të dy kombëtaret i ka në zemër, por më e drejtë për të do ishte të përfaqësojë Suedinë.
“Dua vetëm të them se jam shumë krenar që Kosova më dëshiron në përfaqësuesen e saj A. Kam nderin të dua dy vende, por edhe përgjegjësinë të marr një vendim që ndiej se do të jetë i duhuri. Për mua, Suedia dhe Kosova janë afër zemrës. Pasi jam i lindur dhe i rritur në Suedi, më duket e drejtë që Suedia është vendi që dua të përfaqësoi. Kam pasur disa biseda të mira me Janne Anderssonin dhe shpresoj që së shpejti mund ta quaj veten lojtar i përfaqësueses A të Suedisë. Procedura është duke u zhvilluar dhe shpresoj që mund të jem në grumbullimin e ardhshëm”, ka thënë Kurtulus për sajtin zyrtar të Hammarbyt, klubit të tij.
Edvin ka përfaqësuar rregullisht me Kosovën U21, ndërsa ai tashmë ka bërë zgjedhjen e tij./Lajmi.net/