Kurti: Vrasjet në Armatën Jugosllave, krime ndaj shqiptarëve

Nën organizimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot u mbajt forumi publik “Za n’kujtesë” me temën “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e Jugosllavisë”. Në këtë forum mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili i cilësoi…

Lajme

12/05/2025 17:36

Nën organizimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot u mbajt forumi publik “Za n’kujtesë” me temën “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e Jugosllavisë”.

Në këtë forum mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili i cilësoi këto raste si pjesë përbërëse e padrejtësive historike që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve nga shteti jugosllav.

“Jemi bashkë këtu sot në Bibliotekën Kombëtare, në këtë forum diskutimi për ushtarët e vrarë shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë. Kjo dëshmon që institucionet shtetërore dhe shoqëria jonë nuk e harrojnë asnjë kategori të krimeve të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve, dhe asnjë periudhë të historisë që na ka sjellë deri këtu ku jemi sot”, tha Kurti.

Ai përmendi rastin e parë të vrasjes së një ushtari shqiptar në ushtrinë jugosllave, atë të Ramadan Xhelil Gashit nga fshati Vërboc i Drenasit, i cili u vra në korrik të vitit 1951 në një kazermë ushtarake në Vishegrad të Bosnjës e Hercegovinës. “Ramadan Gashi ishte vetëm 20 vjeç kur e vranë. Nga atëherë kanë kaluar 74 vjet, por as sot e kësaj dite familja Gashi nuk e ka marrë trupin e Ramadanit, siç nuk kanë marrë as një shpjegim për rrethanat e vdekjes”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri në detytë veçoi edhe shumë raste të tjera të ushtarëve shqiptarë të vrarë në ushtrinë jugosllave nga viti 1951 deri më 1993. “Gjatë kësaj periudhe u vranë të paktën 135 ushtarë shqiptarë”, tha ai, duke përmendur emrat e disa prej tyre: Idriz Krasniqi, Halil Hajrullahu, Shefqet Jashari, Yzeir Sadiku, Enver Elezi, Beqir Sahiti, Malik Azizi, Rexhep Blakaj, Fadil Gashi, Besim Fazliu, Sherif Kashtanjeva, Vesel Duraku, Haki Morina, Elmi Popaj, Enver Aliaj dhe shumë të tjerë.

“Këta janë vetëm disa nga emrat e ushtarëve të vrarë, që i përmenda për të treguar që institucionet e Kosovës dhe shoqëria jonë i njeh ata me emër dhe me mbiemër, e jo vetëm si numër, dhe ua njeh historitë e rasteve të tyre dhe do t’i fiksojë si në historinë e Kosovës ashtu edhe në dosjet e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve, për të cilat do të kërkohet drejtësi”, deklaroi Kurti.

Në forum morën pjesë edhe familjarë të ushtarëve të vrarë, të cilët ndanë historitë dhe dhimbjet e përjetuara ndër vite.