Kurti viziton shtëpitë e restauruara dhe merr pjesë në hapjen e panairit “Mirëserdhe në Janjevë”

Në Janjevë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Kishën e Shën Nikollës, ku u takuan dhe me priftin Don Matej Paliq, si dhe panë nga afër shtëpitë e restauruara të zonës. Gjatë qëndrimit në Janjevë, kryeministri mori pjesë edhe në hapjen e panairit “Mirëserdhët…

Lajme

07/10/2024 16:41

Në Janjevë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Kishën e Shën Nikollës, ku u takuan dhe me priftin Don Matej Paliq, si dhe panë nga afër shtëpitë e restauruara të zonës.

Gjatë qëndrimit në Janjevë, kryeministri mori pjesë edhe në hapjen e panairit “Mirëserdhët në Janjevë”, bashkë edhe me ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe shefin e UNDP-së në Kosovë Nuno Queiros. Më tej, vizitoi edhe Xhaminë e Murat Beut në Janjevë, ku u prit nga Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti dhe Imami i Janjevës Beqir Krasniqi.

Në fjalën e tij, Kurti tha se qeveria po investon përmes tri ministrive në Janjevë.

“Ministria e Kulturës, në restaurimin dhe rifunksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore për turizëm dhe menaxhim, mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonën e vjetër të qytezës së Janjevës, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet,” u shpreh kryeministri.

Tutje ai shtoi se ky program nuk do të ishte i plotë pa përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

“Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës Janjevase, e cila ka migruar në Kroaci, duke krijuar kësisoj mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëinvestim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm, e së bashku me këtë edhe gjallëria ekonomike. Shtëpitë e restauruara do të jenë të gatshme për të shërbyer qoftë për banim, bujtina, gastronomi, e shitje të prodhimeve vendore që i prodhojnë bujqit e artizanët e vyeshëm të këtij vendbanimi,” përfundoi kryeministri.

Kurti u takua nga afër edhe me banorët e zonës e pjesëmarrësit në panair nga prodhuesit lokalë dhe përfaqësues të bizneseve.

Ndërkaq panairi u organizua si pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për ringjalljen ekonomike të Janjevës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai synon të nxjerrë në pah identitetin kulturor të fshatit duke ofruar një platformë për artizanët dhe prodhuesit vendas për të ekspozuar punën e tyre, për të ruajtur, mbrojtur dhe ringjallur trashëgiminë kulturore, promovuar ndërgjegjësimin dhe sigurimin e mbrojtjes së saj, zgjerimin e mundësive socio-ekonomike dhe zhvillimin ekonomik për banorët e Janjevës. /Lajmi.net/