Kurti: Ushtarët tanë janë të gatshëm kurdo dhe kudo të garantojnë sigurinë e qytetarëve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se nga sot kadetët fillojnë punën fisnike por edhe sfiduese. “Ashtu si shqiponja sy pa trembur që qëndisur si emblemë e keni në krahë, ushtarët tanë janë të gatshëm kurdo dhe kudo të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të mbrojnë Republikën e Kosovës. Teksa qëndroj këtu para jush dua…

Lajme

04/07/2025 12:31

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se nga sot kadetët fillojnë punën fisnike por edhe sfiduese.

“Ashtu si shqiponja sy pa trembur që qëndisur si emblemë e keni në krahë, ushtarët tanë janë të gatshëm kurdo dhe kudo të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të mbrojnë Republikën e Kosovës. Teksa qëndroj këtu para jush dua të shpreh krenarinë që ndjej për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për secilën e secilin prej juve këtu. Pa dyshim suksesi juaj sot është rezultat i një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime. Edhe më shumë se kaq është investim i juaj shpirtëror dhe intelektual dhe mbështetje e pa rezervë e familjeve tuaja”, tha ai.

Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve, Kurti shtoi se të njëjtit janë shtylla mbi të cilën do të vazhdojë rrugëtimi strukturor dhe profesional i Forcës.

“Kosova në aspektin gjeografik, ideor, vleror e politik është Evropë. Andaj pashmangshëm jo vetëm i nevojshëm është anëtarësimi në familjen evropiane, demokratike të cilës i takojmë. Me dëshmorët e kombit në zemër dhe mësimet profesionale në mendje, kadetë urime diplomimi”, shtoi Kurti.

Oficerët më të rinj të FSK-së kanë bërë edhe betimin para komandantes së Qendrës për Studime Universitare.

Në adresimin e fundit për këtë gjeneratë, komandantja e QSU-së, major Mimoza Poteci ka këshilluar oficerët e rinj.