Kurti: Urime fitorja më e madhe në histori të vendit, që është rrugë ta kalojë edhe atë të shkurtit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar para mediave pas rezultateve preliminare nga zgjedhjet e sotme nacionale. Kurti gjatë deklarimit të tij tha se shpreh mirënjohjen e tij të thellë e falënderimin për mikpritjen e jashtëzakonshëm në të gjitha qytetet, fshatrat e lagjet e familjet gjithandej vendit. Kurti tha se partia e tij është…

Lajme

28/12/2025 22:31

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar para mediave pas rezultateve preliminare nga zgjedhjet e sotme nacionale.

Kurti gjatë deklarimit të tij tha se shpreh mirënjohjen e tij të thellë e falënderimin për mikpritjen e jashtëzakonshëm në të gjitha qytetet, fshatrat e lagjet e familjet gjithandej vendit.

Kurti tha se partia e tij është në rrugë që të tejkalojë rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind.

“Falënderim për mijëra vullnetarë, simpatizantë e aktivistë që organizuan fushatën e ishin krahu i fortë në këtë fitore madhështore. Më 9 shkurt sivjet fitoj Vetëvendosje, me 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit. Tas na presin shumë punë përpara, rezultati na ka bërë të qartë se duhet të ecim përpara pa vonesë. Sa më parë që certifikohen rezultatet aq më shpejtë duhet krijuar institucionet e të vazhdohet me punën e mirë përpara”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon që duhet të ecet përpara pa vonesa.

“Sa më parë që certifikohen [rezultatet], aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.

Legjislaturën e re, Kurti tha se e pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tha se arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.

“Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, tha ai.

Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit. Ai tha se është herët të flitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.

Ai u pyet nëse do të negociojë me partitë opozitare për presidentin dhe që propozimin për president ta bëjnë ato, Kurti tha:

“Ta negocioni dhe t’ua jepni atyre janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të përdoren si sinonime, aq më pak në të njëjtën fjali. Natyrisht që duhet ta bisedojmë me opozitën këtë çështje. Por, paraprakisht duhet të diskutojmë për marrëveshjet ndërkombëtare. Ai do të jetë një test i rëndësishëm për bashkëpunimin qeveri-opozitë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po e rikthesoj, fillimisht duhet të presim certifikimin e rezultateve”./Lajmi.net/