Kurti takoi ministren e Jashtme të Letonisë: E njoftova për rreziqet që Serbia paraqet për Ballkanin Perëndimor

Pas drekës ministeriale të shtruar nga Drejtorja Ekzekutive e Forumit të Varshavës për Siguri, Katarzyna Pisarka, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takimin e parë bilateral në kuadër të Forumit e zhvilloi me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Braže. ZKM përmes një komunikate për media ka shkruar se Letonia ka njohur…

Lajme

01/10/2024 15:34

Pas drekës ministeriale të shtruar nga Drejtorja Ekzekutive e Forumit të Varshavës për Siguri, Katarzyna Pisarka, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takimin e parë bilateral në kuadër të Forumit e zhvilloi me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Braže.

ZKM përmes një komunikate për media ka shkruar se Letonia ka njohur pavarësinë tonë vetëm tre ditë pas shpalljes së saj me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë e ka mbështetur Republikën e Kosovës në zhvillimin e saj dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Sipas kësaj komunikate, kryeministri theksoi rëndësinë e partneritetit bilateral dhe bashkëpunimit të afërt në avancimin e interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes, si dhe promovimit të vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga regjimet autokratike. Në këtë kontekst, diskutuan për mënyrat dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kryeministri Kurti e ka falënderuar ministren Braže për kontributin e Letonisë në sigurinë e vendit tonë përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë takimit u diskutua edhe rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në kontinentin e Evropës, teksa agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën po vazhdon dhe për rolin dhe përgjegjësinë që shtetet evropiane kanë për të mbështetur në mënyrë të pa rezervë Ukrainën në luftën e saj për çlirim, integritet territorial, sovranitet dhe demokraci. 

“Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi ministren Braže për zhvillimet në vend, raportet me Serbinë, rreziqet që ajo paraqet për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve të afërta me Rusinë dhe për përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist dhe paramilitar të një viti më parë në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërkohë që autorët e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë e të mbrojtur në Serbi dhe nga Serbia. Kryeministri Kurti, në këtë takim shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe shefi i misionit të Kosovës ne Poloni, ambasadori Drilon Gashi”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/