Kurti: Sonte festojmë, çështja e Presidentes do të diskutohet pas certifikimit të rezultateve edhe me partitë opozitare
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është ende herët për të folur për hapat e ardhshëm institucionalë, duke theksuar se pas fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit, fokusi i momentit është festimi i Vitit të Ri 2026 dhe i rezultatit zgjedhor. “Është tepër herët të flasim tani. Sonte do të festojmë dhe jo vetëm sonte.…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është ende herët për të folur për hapat e ardhshëm institucionalë, duke theksuar se pas fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit, fokusi i momentit është festimi i Vitit të Ri 2026 dhe i rezultatit zgjedhor.
“Është tepër herët të flasim tani. Sonte do të festojmë dhe jo vetëm sonte. Gëzuar Vitin e Ri 2026 të gjithëve,” ka thënë Kurti, raporton lajmi.net
Ai ka shtuar se çështjet politike dhe institucionale nuk do të vonohen për t’u diskutuar, përfshirë edhe atë të Presidentes apo Presidentit të ardhshëm të vendit. Sipas Kurtit, për këtë proces do të ketë bisedime edhe me partitë opozitare.
“Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën per presidenten/in e ardhshëm, por siç e kam thënë edhe mbrëmë në RTK do të ulem paraprakisht të bisedoj me presidenten aktuale dhe më pas do të marr hapat e ardhshëm, në mënyrë që të ecim përpara bashkë sepse dihet që si për marrëveshjet ndërkombëtare edhe për çështjen e Presidentes, duhet të qëndrojnë së paku 80 veta në sallë edhe nëse votojnë kundër. Ky është hapi i tretë, fillimisht certifikimi i rezultateve që do të na bëj të qartë formimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës.”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se për çështje të rëndësishme shtetërore, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e Presidentes, kërkohet prania e së paku 80 deputetëve në sallë, edhe në rast se ata votojnë kundër, prandaj sipas tij është e domosdoshme një qasje bashkëpunuese./Lajmi.net/