Kurti: S’mund të mos i kujtoj përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për 18-vjetorin e pavarësisë, ka thënë se në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtohen se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Sipas tij kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë…

Lajme

17/02/2026 08:34

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për 18-vjetorin e pavarësisë, ka thënë se në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtohen se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.

Sipas tij kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.

“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas luftës së dytë botërore, të cilët kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e të demokracisë, të barazisë e të drejtësisë, prosperitetit dhe të gjithëpërfshirës. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit. Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri. Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore. Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithë”, tha Kurti.

Ai ka vlerësuar edhe kontributin e ish-drejtuesve të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.

“Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë”, tha ai.

Adresimi i plotë:
Sot, në këtë mbledhje solemne të qeverisë, kujtojmë aktin historik të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Kujtojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit. Nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull.

Vërtetë shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë.

Shteti i Kosovës është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e të demokracisë, të barazisë e të drejtësisë, prosperitetit dhe të gjithpërfshirjes. Secili qytetar, pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit.

Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri:

Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, e të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit;

Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe kapaciteteve mbrojtëse;

Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore,

Nga lëvizja e lirë pa viza, te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, e të cilat janë arritje që na bëjnë krenar të gjithëve.

Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësinë së Republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.

Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar, dhe historia do të jetë ajo, e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.

Të dashur qytetarë,

Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të një mandati të ri qeverisës me besim të madh nga qytetarët e vendit tonë. Punët që na presin janë të shumta dhe pritjet e qytetarëve janë të mëdha, por i lartë është motivi dhe fisnik është qëllimi që kemi para vetës.

Për forcimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, le të angazhohemi të gjithë bashkë me punë, dije dhe integritet.

Mësues e studentë, mjekë e punëtorë, ushtarë e policë, të rinj e të moshuar, gra e burra, vajza e djem, që të gjithë duhet të japim maksimumin e kontributit tonë.

Sepse, këtë nga ne e presin brezat e shumtë që u flijuan ndër shekuj, si dhe rinia dhe fëmijët e Kosovës, që ne të jemi të lirë e ta kemi shtetin tonë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e duke e zhvilluar dhe forcuar shtetin.

Qeveria dhe ne si kabinet qeveritar, jemi vetëm instrument në realizimin e këtij qëllimi të përbashkët.

Gëzuar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Republikës sonë!

Lavdi e nderime të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe shtetin që sot gëzojmë!

Ju faleminderit./Lajmi.net/