Kurti shton edhe një “arsyetim” për moskonstituimin e Kuvendit: A po duam të kemi incidente dhe zgjedhje?
Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se po e bën “më të mirën e mundshme” për formimin e institucioneve, por ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit, e nisur në fillim të muajit, nuk po vazhdon. Kurti tha mbrëmë pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku se ai nuk…
Lajme
Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti thotë se po e bën “më të mirën e mundshme” për formimin e institucioneve, por ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit, e nisur në fillim të muajit, nuk po vazhdon.
Kurti tha mbrëmë pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku se ai nuk ka dorë në thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.
“Seancën konstituive, siç e dini, e thërret deputeti më i moshuar, në këtë rast, Avni Dehari, i cili, i ka dhënë edhe ai arsyet dhe argumentet e veta pse s’po e bën një gjë të tillë”, tha ai.
Më tej, ai tha se “pati incidente në Kuvend”, duke iu referuar një situate tensionuese të para disa ditëve, ku u përfshinë ministra e deputetë nga LVV-ja dhe PDK-ja e Aleanca.
“Tash duhet ta dimë, a po duam konstituim të Kuvendit që të mos kemi zgjedhje dhe të kemi stabilitet institucional, apo po duam konstituim të Kuvendit që të kemi incidente dhe të kemi zgjedhje?”, tha Kurti.
“Unë nuk kam se çfarë diskutoj në këtë aspekt, meqenëse seancat i thërret kryesuesi aktual, i përkohshëm gjithsesi, deputeti më i moshuar, i cili, siç e thashë më herët, tashmë ka dhënë shpjegimet për veprimet e tij”, shtoi kreu i LVV-së.
Kur kanë kaluar pothuajse 3 muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, Kuvendi nuk është konstituuar ende.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi tha se do të ishte e padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.