Kurti: Serbia dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri, kjo nuk do të ndodhë

Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për planin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, në intervistën që ka dhënë për Reuters. Kurti ka thënë se Serbia dëshiron ta shndërrojë këtë urë në një kufir të ri, por se kjo nuk do të ndodhë. “Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në…

Lajme

20/09/2024 19:26

Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për planin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, në intervistën që ka dhënë për Reuters.

Kurti ka thënë se Serbia dëshiron ta shndërrojë këtë urë në një kufir të ri, por se kjo nuk do të ndodhë.

“Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në Mitrovicë sepse dëshiron ta mbajë të gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës. Ajo dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë”, ka deklaruar Kurti.“Duhet ta hapim urën dhe ta bëjmë normale Kosovën”, ka shtuar tutje ai.

Ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Kurti ka folur edhe për dialogun, ku ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian.

“Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes”, ka deklaruar Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai ka kërkuar që marrëveshja të nënshkruhet dhe që Serbia ta tërheqë letrën që kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, i dërgoi BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen, si dhe t’ia dorëzojë Kosovës Millan Radoiçiqin dhe grupin e tij, për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë.

“Çfarë kemi parë këto dy vjet është se Brukseli nuk ka reaguar kur Beogradi e ka shkelur marrëveshjen. Ne duam që Brukseli t’i bëjë trysni Serbinë ta respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet me vullnet të mirë dhe në mënyrë konstruktive në zbatimin e plotë të saj”, ka shtuar Kurti.