Kurti që 10 ditë jashtë Kosovës

Nesër pritet të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajme

18/07/2021 14:09

Megjithatë, as para takimit me Vuçiqin që pritet të mbahet në Bruksel, Kurti nuk është kthyer ende në Kosovë.

Ai udhëtoi më 8 korrik për në Greqi, ku morri pjesë në një tryezë të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria greke, e pastaj ishte pjesëmarrës edhe në simpoziumin “SYMI 2021” në Athinë, shkruan lajmi.net.

Kurti nuk u kthye në Kosovë edhe pas reagimeve të shumta ndaj tij, pasi që nuk u kthye të vizitonte Komunën e Deçanit ku mbi një mijë qytetarë u helmuan nga uji i pijshëm, por vetëm reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Menjëherë pas Greqisë, Kurti udhëtoi për në Francë, ku së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij morën pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë.

E kryeministri Kurti nuk do të kthehet në Kosovë as gjatë ditës së sotme, pasi që nga Zyra e Kryeministrit kanë njoftuar se gjatë ditës së sotme, Kurti do të udhëtojë nga Franca për në Belgjikë, për takimin e radhës me delegacionin serb në Bruksel.

Takimi i nesërm mes Kurtit dhe Vuçiqit do të fillojë në orën 14:00, ku fillimisht delegacioni i Kosovës do të takohet me ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak dhe pastaj do të kenë edhe një takim së bashku me palën serbe. /Lajmi.net/