Kurti përkujton viktimat e masakrave të 31 marsit 1999 në Pastasel të Rahovecit dhe Burim të Malishevës
Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e masakrave të kryera nga forcat serbe më 31 mars 1999 në Pastasel të Rahovecit dhe Burim të Malishevës. Kurti theksoi se në javën e fundit të marsit 1999, Serbia e Millosheviqit intensifikoi brutalitetin e saj si pjesë e planit gjenocidal “Patkoi”, duke vrarë qindra civilë të pafajshëm, torturuar…

Lajme
Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e masakrave të kryera nga forcat serbe më 31 mars 1999 në Pastasel të Rahovecit dhe Burim të Malishevës.
Kurti theksoi se në javën e fundit të marsit 1999, Serbia e Millosheviqit intensifikoi brutalitetin e saj si pjesë e planit gjenocidal “Patkoi”, duke vrarë qindra civilë të pafajshëm, torturuar dhe plaçkitur mijëra të tjerë, si dhe shkatërruar pasuri të pallogaritshme në mbarë Kosovën.
“Nuk i harrojmë civilët e vrarë në masakrat që forcat e armatosura serbe kryen në shumë lokalitete të Kosovës, nga Kaçaniku, Gjakova, Suhareka, Prizreni, Rahoveci, Skenderaj, Peja, Obiliqi, Fushë Kosova, Gjakova, Podujeva, Prishtina, Deçani, Mitrovica, Vushtrria, Klina, Drenica, Gjilani e shumë vendbanime të tjera,” tha ai.
Kurti theksoi se këto masakra janë dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia dhe kërkoi që drejtësia të veprojë më fuqishëm në hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për këto krime.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë po mbledh dëshmi për të dokumentuar krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin serb në Kosovë.
“E përhershme është përgjegjësia jonë për historinë dhe drejtësinë për të vrarët, dhe për zhvillimin e Republikës sonë! Me dhembje e krenari i kujtojmë të gjithë të rënët, sot e gjithmonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!” përfundoi Kurti.