Kurti përkujton masakrën e 1 qershorit 1998 në Deçan: Kujtimi i martirëve është themel i lirisë sonë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot masakrën e 1 qershorit 1998 në komunën e Deçanit, ku forcat serbe ndërmorën një ofensivë të gjerë ushtarake në zonën e Dukagjinit, duke kryer krime të rënda ndaj civilëve shqiptarë. “Më 1 qershor 1998, në kuadër të ofensivës së gjerë ushtarake në zonën…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot masakrën e 1 qershorit 1998 në komunën e Deçanit, ku forcat serbe ndërmorën një ofensivë të gjerë ushtarake në zonën e Dukagjinit, duke kryer krime të rënda ndaj civilëve shqiptarë.
“Më 1 qershor 1998, në kuadër të ofensivës së gjerë ushtarake në zonën e Dukagjinit, forcat serbe ndërmorën një operacion të dhunshëm që përfshiu rrethimin, bombardimin dhe shkatërrimin e fshatrave Pobërgjë, Hulaj, Batushë dhe fshatrave përreth”, tha Kurti.
Ai theksoi se sipas raporteve të Human Rights Watch dhe OSBE-së, ky sulm u karakterizua nga përdorimi i armëve të rënda kundër zonave civile, dëbimi masiv i popullsisë shqiptare, vrasje dhe zhdukje të civilëve të pafajshëm, si dhe shkatërrim sistematik i pronës private.
“Në përvjetorin e 27-të të këtij sulmi, përkujtojmë 19 martirët e vrarë nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Në këtë ditë përkujtimore, nderojmë viktimat e këtij krimi, si dhe të gjitha viktimat e tjera të agresionit e gjenocidit shtetëror serb gjatë luftës në Kosovë”, shtoi ai.
Kurti përfundoi fjalën e tij duke thënë se sakrifica e popullit të Kosovës është themeli i lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Lavdi!”, u shpreh ai.