Kurti për ushtrimin fushor ”Ujku i Çeliktë”: Ky ushtrim na tregoi se FSK është mburojë e vendit tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ushtrimi i sotëm i njohur si “Ujku i Çeliktë” është më i madhi dhe më i sofistikuari i Forcës së Sigurisë se Kosovës. “Ky ushtrim përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse sikurse u dëshmua edhe sot dhe paraqet tregues të qartë të përkushtimit dhe…

Lajme

12/11/2024 15:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ushtrimi i sotëm i njohur si “Ujku i Çeliktë” është më i madhi dhe më i sofistikuari i Forcës së Sigurisë se Kosovës.

“Ky ushtrim përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse sikurse u dëshmua edhe sot dhe paraqet tregues të qartë të përkushtimit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë. E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht bëhet validimi i regjimentit të dytë të FSK-së duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejtë standardeve më të larta ndërkombëtare. Validimi i këtij regjimenti është tregues i qëndrueshmërisë dhe përcaktimit tonë për t’i forcuar kapacitetet tona mbrojtëse të cilat patjetër që garantojnë sigurinë dhe paqen në vendin tonë”, tha ai.

Kurti para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës tha se më ushtrimin e sotëm u tregua se Kosova po bëhet gati me zell të madh për Defender 2025.

“Një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern të cilët janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes….Ky ushtrim na tregoi se FSK është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale për aleatët e Kosovës….Jeni garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta. Për ushtrim e në ushtrimin më të madh të NATO-së “Defender Europe 2025” kësaj radhe jo vetëm si pjesëmarrës, por edhe si nikoqir dëshmuam se po bëhemi gati me zell të madh e disiplinë të madhe. Ushtrimi ‘Ujku i Çeliktë’ nuk është thjeshtë një ushtrim i radhës, është një ushtrim që tregon shpirtin tuaj ushtarak”, u shpreh Kurti.

Në Ditën e Vizitorëve të realizuar në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, u ekspozuan edhe disa pajisje ushtarake të cilat i inspektoi nga afër komandantja supreme, Vjosa Osmani.